Kryedemokrati Sali Berisha është paraqitur paraditen e kësaj të hëne, 20 prill, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion, në kuadër të masës së sigurisë për dosjen “Partizani”.

Në dalje, ai vijoi me akuzat ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani. Ky i fundit, sipas tij, ka bërë avokatin e gjyqtares Irena Gjoka.

“Ka fituar tre mbiemra të rinj për faqen e tij të zezë! Altin Hajro, personi që ka sharruar trupin e Jan Prengës. Troplini e mori nga Elvis Doçi. Kreshnik Farruku nga Manza, se ky ka kaq shumë mbiemra sa i ngatërrohen pagoi disa miliona për t’ja ngatërruar CV-në e tij me të vëllain e së fundmi Irena Gjoka. I dhuron mbiemrin Altinit si shpërblim për avokatinë e turpshme që i bëri një krimineleje”, deklaroi kreu i PD-së.

Kur u pyet se kë gjeti brenda SPAK-ut, u përgjigj ekzaktësisht kështu:

Ishte Dumani, po hidhnin valle me Irenën!

Vijoi me pretendimet se Dumani ka katër banesa të padeklaruara, teksa e krahasoi me ish-drejtoreshën e AKSHI-t.

Teksa rikujtoi se nesër do të mbahet seanca gjyqësore lidhur me padinë e depozituar nga PD ndaj gjyqtares Gjoka, paralajmëroi kallëzim edhe ndaj ish-kreut të Strukturës së Posaçme. Dumani, thekson Berisha, “ka ndryshuar sipas qejfit, veprat penale të Gjokës”.

Më 30 prill, në orën 12:30, pritet që socialisti Taulant Balla të dëshmojë (në cilësinë e kallëzuesit) në gjyqin që po mbahet në ngarkim të Berishës. Do të ketë një përballje të mirëfilltë mes tyre?

“Balla është autor i shpifjes se Sali Berisha i ka dhënë tokë të shpronësuar nga autoritetet italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhëndrit të tij, fletoren zyrtare të vitit 1941-1942 faktoi se toka ka qenë e familjes Begeja dhe familjeve të tjera. Faktojnë se ajo tokë nuk është shpronësuar kurrë! Pas lufte, është konfiskuar nga komunistët dhe janë pushkatuar dy anëtarë të asaj familjeje. Shpifja e paskrupullt e Ballës është e ulët dhe po ndiqet në të gjitha format. Kam avokatët, që nëse gjykatësi kërkon që të jem aty, do të jem padiskutim, zbatoj urdhrat e autoriteteve. Akuza e dytë se kam ndryshuar destinacionin e terrenit, mashtrim i turpshëm!, u përgjigj Berisha.

Po a ekzistojnë shanset për ballafaqim me vetë kryeministrin Edi Rama?

“S’ka ku të shkojë, do të jetë përballja e shekullit!”, tha me bindje Berisha, teksa i bëri thirrje kreut të qeverisë:

Bëhu burrë dhe hajde! Përndryshe jam gati për debat në studio televizive dhe tërheq kërkesën për dëshmitar!


Në mbyllje të prononcimit të tij për gazetarët, sinjalizoi protesta të tjera “të fuqishme” nga ana e opozitës.

“Dosja Rama-Balluku nuk mbyllet kurrë, dosja është e hapur, ajo është një gropë për Ramën dhe Lubi Ballukun. Ne do të depozitojmë padi penale për Skënder Ballukun (referuar kreut të ri të Policisë së Shtetit), kriminel i damkosur, për Sokol besëprerin, oficeri më i pabesë (referuar Sokol Bizhgës)”, përfundoi kreu i demokratëve.