Në komunikimin e përjavshëm me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, Sali Berisha akuzoi Ergys Agasin dhe ish-drejtuesen e SHISH-it për përgjime të paligjshme jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë të Edi Ramës, por edhe shërbimeve të huaja diplomatike në Shqipëri.
“Kam të dhëna që SHISH-i i Agasit ka përgjuar jo vetëm deputetë e PD-së, por edhe ministra e zyrtarë të PS-së dhe ambasada. Janë në dosjen e Beqirit, i ka urdhëruar Rama.”
Për të faktuar lidhjen që, sipas tij, Hyseni e Agasi kishin me kryeministrin, Berisha tha se disponon një fotografi ku duket ish-drejtuesja e SHISH-it duke hyrë në vilën e Ergys Agasit.
“Rama është takuar me Agasin e Hysenin te vila e Gysit, qytetari dixhital më ka sjellë foto, por s’e publikova se mund të jetë e martuar, por kam dyshime se ajo vilë është e Ramës, jo e Gysit.”
Kryeministrin e akuzoi se qëndron pas çdo afere korruptive, përfshi edhe atë me biznesmenin amerikano-izraelit Roni Jefet.
“Roni Yeffet ka kontrolluar gjithçka në këtë vend, Rama i ka dhënë 40 milionë euro kompanisë së tij.”
Edi Ramën e akuzoi se qëndron edhe pas videove erotike të artistëve të shpërndara në platformat online.
“Pas tyre qëndron Rama, kërkon hetim pasi thuhet se Rama i ka mbledhur me kohë, se mund t’i duheshin në një ditë të vështirë.”
I pyetur në lidhje me godinën shumëkatëshe që do të ngrihet në zonën e njohur si Tajvani në kryeqytet, Berisha paralajmëroi se do të mbështesë çdo nismë kundër ndërtimit të saj.
“Jam kundër kullave, në qeverisje nuk dhashë asnjë, PD-ja po mbledh firmat për një peticion dhe referendum kundër ndërtimit të kullës te Tajvani, janë monumente të krimit e drogës. Do të mbështesim çdo protestë.”
Me qëllim frenimin e parave të pista në ekonomi, kryedemokrati tha se, pas ardhjes në pushtet, Partia Demokratike do të krijojë Agjencinë Kombëtare të Konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme të politikanëve dhe oligarkëve brenda e jashtë vendit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 