Pas intervistës së dhënë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, kryeministri Berisha ka ripranuar se pozicioni i mazhorancës për ndërtimin e një central bërthamorë nuk ka ndryshuar.

Sali Berisha: “Nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin tim, kanë qenë gjithnjë 2 opsione, opsioni që të bisedojmë me qeveritë e vendeve fqinje dhe ta ndërmarrim së bashku, në këtë rast qeveria shqiptare është e gatshme të marrë pjesë me buxhetin e saj, por proporcionalisht. Rikthimi i mikut tim Berlusconi, në pushtetin italian ka rikthyer edhe qëndrimin pronuklear në këtë vend dhe unë mirëpres çdo bashkëpunim me qeverinë italiane. Në rast se qeveritë nuk janë të interesuara, qeveria shqiptare nuk mendoj se do ta ndërmarrë iniciativë me buxhetin e saj për ndërtimin e termocentralit nuklear, por do të japë dritë jeshile sektorit privat që të miratojë një të tillë në standardet më të mira.”

Kjo nismë e kryeministrit Berisha duket se përqafohet edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Presidenti i presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Dr. Srgjan Kerim, i cili është duke zhvilluar një vizitë në Shqipëri, interesimit të gazetarëve për këtë çështje i është përgjigjur duke thënë se çdo projekt i iniciuar nga vendet në zhvillim për prodhimin e energjisë është i mirëpritur pavarësisht problemeve të mëdha klimaterike që po përjeton globi.

Srgjan Kerim: “Kur flasim për ndryshimet klimaterike dhe për masat që duhen marrë për të penguar ndotjen, apo faktorët që ndikojnë në to, nuk do të thotë se do të çojmë në zero zhvillimin ekonomik, është e drejta e çdo vendi në zhvillim për të ndërmarrë çdo projekt për prodhimin e energjisë, çdo veprim të tyre e vlerësojmë si të drejtë.”

Berisha dhe Kerim kanë prezantuar dhe nismën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Një OKB”, ku Shqipëria së bashku me 7 vende të tjera është përzgjedhur për të qenë një vend pilot. Kryeministri Berisha i ka propozuar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në këtë kuadër të zhvillohet dhe një takim me 8 vendet pjesëmarrëse në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka