Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi në Dallas një takim me kongresmenin republikan Lance Gooden, anëtar i Komitetit për Drejtësinë dhe Komitetit të Sigurisë në Kongresin amerikan.

Sipas Berishës, biseda u përqendrua te zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat e vendit dhe forcimi i marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.

Në fokus, sipas tij, ishte edhe lufta kundër trafikut dhe karteleve të drogës.

“Marrëdhëniet strategjike me SHBA dhe mbështetja për anëtarësimin në NATO kanë qenë arritje historike. Sot, siç kërkon dhe Sekretari Rubio, lufta kundër trafikut dhe karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre janë në qendër të marrëdhënies ndërmjet dy vendeve”.

Berisha tha se me Gooden u fol edhe për drejtësinë në Shqipëri dhe se kongresmeni amerikan shprehu interes për një drejtësi të pavarur, e cila nuk përdoret për përballje politike.

Kreu i PD-së theksoi se miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara është një garanci e rëndësishme për demokracinë, lirinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Tv Klan

/tvklan.al