Sali Berisha thotë se ka marrë garancinë e Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë së Këshillit të Europës pas një takimi të zhvilluar me të, se ky institucion dhe ekspertët e tij nuk e kanë miratuar, sugjeruar apo hartuar paketën e ndryshimeve të propozuara në kodin e procedurës penale të prezantuara të mërkurën nga Kryeministri Edi Rama.
“Sekretarja e Përgjithshme më siguroi se Këshilli i Europës, ekspertët e tij, nuk e kanë miratuar këtë paketë, dhe kjo nuk është një paketë e sugjeruar apo e miratuar apo e hartuar nga specialistët e Këshillit të Europës”, tha Berisha.
Përmes një videomesazhi, lideri i opozitës tha se ndryshimet e propozuara në Kod përbëjnë një “mburojë për Ramën”, pasi mund të kufizojnë përdorimin e provave të siguruara përmes pajisjeve elektronike dhe burimeve të tjera, si dhe mund të ndikojnë në hetimet për çështje të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ka absolutisht parasysh mbrojtjen e vetes së tij, vëllaut të tij, familjarëve të tij, dhe ministrave të tij. Me këtë paketë, përveçse përjashton dënimet me burg në masat nën pesë vite dënim, Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat të cilat janë të gjetura në vende të ndryshme“, tha Berisha.
Kryedemokrati thotë se kjo përpjekje e qeverisë është në kundërshtim flagrant me Gjykimin e Strasburgut dhe Gjykatën Franceze, të cilat regjistrimet që gjetën për bandat i kanë quajtur të vlefshme dhe plotësisht të përdorshme. Ndaj ai i kërkoi palës europiane që ndryshimet të mos miratohen në formën aktuale dhe që paketa t’i nënshtrohet ekspertizës së Komisionit të Venecias.
“Kërkova që kjo paketë të mos votohet në asnjë mënyrë. Kërkova që kjo paketë t’i kalojë për ekspertizë Komisionit të Venecias. Shqipëria nuk ka nevojë të zbusë ligjet në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, përkundrazi, ka nevojë t’i forcojë. Pra, është një mbështetje e stërfuqishme për vetë Ramën, familjen, qeverinë e tij dhe botën e krimit në Shqipëri“, tha Berisha.
Në takimin e zhvilluar me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë së këshillit të Europës lideri i opozitës tha se e kishte njoftuar zyrtaren e lartë të BE-së edhe për lidhjet e qeverisë me krimin dhe dosjet që janë nën hetim nga SPAK-u.
“U rikujtova gjithashtu se shumica e provave në dosjen Babloku, shumica e provave në dosjen Agasi, shumica e provave në dosjen Ermal Beqiri, dhe të Vlora Hysenit janë direkt të lidhura me Edi Ramën dhe akuzojnë Edi Ramën. Ndër të tjera njoftova sekretaren se këtë paketë, me gosipin e tyre përpiqen ta paraqesin si të miratuar nga Këshilli i Europës”, tha Berisha.
Berisha tha se lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend dhe skandalet e qeverisë do të vijojë dialogun me institucionet e Këshillit të Europës.
/tvklan.al












Botërori 2026 