Partia Demokratike do të padisë kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për mashtrim publik.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha nga selia blu se Veliaj mashtroi qytetarët me postimin në rrjetet sociale të procesverbalit ku pretendohej se prokurori Olsi Dado i është drejtuar atij me fjalën ndyrësirë, gjë e cila u përgënjeshtrua nga të gjitha institucionet e drejtësisë.

“Do të paditet për mashtrim të rremë publikut. Lal Vjedhësi mashtroi qytetarët e Shqipërisë. Ai po kërcënon indirekt dëshmitarët duke i dërguar mesazhe personale apo duke i kërcënuar se e kemi personale prokurorin”, tha Sali Berisha.  

Një paralajmërim pati dhe për Kryeministrin Edi Rama.

“Të denoncojnë këtë akt manipulativ dhe mashtrues, në rast se nuk është në bashkëpunim me të”, tha Berisha.

Berisha thotë se në bashkinë e Tiranës janë duke u djegur dhe fshehur prova të cilat implikojnë Veliajn në korrupsion.

“Një përpjekje e tmerrshme e ethshme për tu fshehur me djegie dhe grisje dokumentash. Të mos harrojnë se gjurma dixhitale do të gjendet dhe në hënë”, tha Berisha.

Një koment pati dhe për dëgjesën që Grupi Parlamentar i PS do të bëj të mërkurën me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku me urdhër të SPAK u lëshuan 24 urdhër arreste për stafin.

“Kërkon që çdo urdhër arresti para se të ekzekutohet apo të lëshohet të kalojë nga zyra e tij dhe kjo është vazhdimi i grushtit të shtetit”, tha Berisha.  

Teksa koha për dorëzimin në KQZ e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 Majit po afron, aleatët e PD kanë intensifikuar takimet me kryedemokratin, por deri më tani ende nuk ka një vendim se sa do të jetë numri i kandidatëve që vijnë nga aleatët në listën e mbyllur.

Klan News