Ndërhyrja e organizatave kriminale në proceset zgjedhore mbetet një shqetësim i madh për Sali Berishën, i cili në një konferencë për mediat tha se ndaj tyre do të ndërmerren masa të rrepta.

“Ne kemi dorëzuar emër, mbiemër, të të gjithë atyre që po kryejnë krime zgjedhore. Organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor do të bëjmë gjithçka për t’i shpallur organizata terroriste jo vetëm Shqipëria, por edhe faktori ndërkombëtar. Presidenti Donald Trump i hapi derën kësaj procedure dhe ai me një urdhër të veçantë shpalli kartelet e drogës organizata terroriste”, tha Berisha.

Kryedemokrati theksoi se vëmendja ndërkombëtare ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri është e pashembullt, me dy seanca të veçanta të mbajtura në Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian.

“Në historinë e këtij vendi nuk janë mbajtur dy hiring ndërkombëtar për zgjedhjet në Shqipëri, siç ndodhi javën e kaluar, çka do të thotë se nuk ka më sy të mbyllur, por janë të hapur katërcipërisht, janë të përqendruar në këtë proces zgjedhor. Delegacione nga më të rëndësishme të OSBE-së vizituan Shqipërinë pikërisht për zgjedhjet”, tha Berisha.

Sondazhet tona tregojnë se në zgjedhjet e lira, fitimtar absolut është PD, thotë Sali Berisha.

“Sipas manipulimeve që ka dhe ai beson gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre. Sondazhet tona tregojnë se në zgjedhjet e lira, fitimtar absolut është PD, dhe me zgjedhje të lira, partia e kthimit kthehet në vitin 1992”, tha Berisha.

Berisha akuzoi Edi Ramën se po zbaton kodin e mafias duke mos pranuar asnjë ballafaqim publik për planet elektorale.  

Klan News