Evropianët duhet të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre, tha të shtunën Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius në përgjigje të njoftimit të planeve të SHBA-ve për të tërhequr 5 mijë trupa nga Gjermania.
“Gjermania është në rrugën e duhur” në këtë drejtim, tha Pistorius, duke treguar zgjerimin e forcave të saj të armatosura Bundeswehr, prokurimin më të madh dhe më të shpejtë të pajisjeve dhe ndërtimin e infrastrukturës.
Pentagoni njoftoi të premten se SHBA-të do të tërheqin 5 mijë personel ushtarak nga aleati i NATO-s, Gjermania. Pistorius e vlerësoi numrin aktual të trupave amerikane të stacionuara në Gjermani në “pothuajse 40 mijë”.
Në përgjigje të kritikave të ashpra nga Uashingtoni për shpenzimet e mbrojtjes, anëtarët evropianë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, janë zotuar të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre. Por me buxhete të kufizuara dhe boshllëqe të mëdha në aftësitë ushtarake, do të duhen vite që rajoni të përmbushë nevojat e veta të sigurisë.
“Prania e ushtarëve amerikanë në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interes të Shteteve të Bashkuara”, tha Pistorius. Megjithatë, ishte “e parashikueshme që SHBA-të do të tërhiqnin trupat nga Evropa, përfshirë Gjermaninë”, shtoi ai.
Një reagim pati edhe nga NATO-ja. Zëdhënësja Allison Hart tha se aleanca po “punon me SHBA-të për të kuptuar hollësitë e vendimit të tyre”.
Hart shtoi se NATO-ja mbetet e bindur në aftësinë për të ofruar parandalim dhe mbrojtje, ndërsa “ky ndryshim drejt një Europe më të fortë në një NATO më të fortë vazhdon”.
/tvklan.al












Botërori 2026 