“Bindja Demokratike” regjistrohet në zgjedhje

“Bindja Demokratike” regjistrohet në zgjedhje

15:55 23/04/2019

Bindja Demokratike i është shtuar zyrtarisht prej kësaj të marte spektrit politik në Shqipëri. Kjo forcë e re politike, që do të këtë ne krye ish–nënkryetarin e Partisë Demokratike, Astrit Patozin, dorëzoi në gjykatë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të gjithë dokumentacionin e regjistrimit, shoqëruar me rreth 4 mijë ­firma mbështetësish. Patozi ka sqaruar në një shkrim në faqen e tij në Facebook arsyet e themelimit te Bindjes Demokratike dhe thelbin e programit, me betëjën kundër sistemit politik aktual.

“Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët. 

Ne jemi të bindur se Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri.”

Ndryshimi i sistemit dhe çlirimi i zgjedhjeve, thotë Patozi, janë kauza e kësaj force politike. Në shënjestër ai vë dy partitë e mëdha.

“Ne mendojmë se fuqia e pakontrolluar e pushtetit të Edi Ramës, buron edhe nga pafuqia e opozitës zyrtare, sidomos nga pranimi prej saj i modelit të qeverisjes së partisë dhe më pas qeverisë. Opozita zyrtare e shikon pushtetin e Edi Ramës si model që mund ta shfrytëzojë për vete, kur t’i jepet rasti.

Ndërsa ne jemi kategorikisht kundër kësaj.

Sepse ne besojmë se Shqipëria qeveriset, ashtu siç administrohet partia. Nëse nuk bën zgjedhje të lira në parti, nuk mund të kërkosh zgjedhje të lira në Shqipëri. Nëse nuk lufton korrupsionin në parti, nuk mund ta luftosh atë në Shqipëri.”

Bindja Demokratike, sqaron Patozi, do të ketë tre prioritete kryesore.

“E para, vendosmëria për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sistemi politik shqiptar duhet të çlirohet nga kontrolli i dy partive të mëdha dhe nga avantazhi i frikshëm i qeverisë, sa herë shkohet për të votuar. Së dyti, Bindja Demokratike identifikon si problem të madh për Shqipërinë polarizimin ekonomik dhe krijimin e një hendeku të thellë mes një shtrese të varfër dhe një grupi njerëzish të pasuruar në mënyrë abuzive. Së treti, vendi ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke u bazuar në ofertat e oligarkëve, por në një vision të qëndrueshëm, që bazohet tek pasuritë kombëtare dhe mundësitë reale të shqiptarëve për t’i bërë ato efikase.”

Bindja Demokratike, vijon me tej Patozi, e quan si jetike ruajtjen e aleancës së Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, pasi orientimi perëndimor i Shqipërisë, konsiderohet si shtylla kryesore për sigurinë tonë kombëtare.

Ai thotë se forca e re politike do të jetë një shtëpi e hapur e lirisë, ku është i mirëpritur gjithkush që gjykon se Shqipëria duhet të çlirohet nga zgjedha e partitokracisë dhe duhet të dalë nga kjo spirale krizash të vazhdueshme, vetëm pasi njerëzit të kenë mundësi të zgjidhen dhe të zgjedhin lirisht.

Një bord i përkohshëm, me Arben Skënderin, Valbona Mezinin, Fabian Topollajn, Andi Përmetin e Leonard Ollin, që do të ketë koordinator Patozin, do ta përfaqesojë partinë e re deri në ngritjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, sipas statutit.

Si pjese e kësaj partie u përfol edhe deputetja Rudina Hajdari, por ajo deklaroi më pas tërheqjen nga nisma.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT