Dy binjakët shqiptarë, Stiven dhe Kristian Shpendi, ishin protagonistët absolutë të javës së fundit në kampionatin italian të Serie B, duke dhuruar një “show” të vërtetë me paraqitjet e tyre fantastike.

Sulmuesi i Empolit, Stiven Shpendi, realizoi dopietë në barazimin dramatik 2-2 ndaj Monzës, duke shmangur humbjen për skuadrën e tij dhe duke i siguruar një pikë me shumë vlera. Falë këtij rezultati, Empoli arriti të qëndrojë jashtë zonës së ftohtë të renditjes.

Ndërkohë, edhe vëllai i tij, Kristian Shpendi, shkëlqeu me fanellën e Çezena-s, por ekipi i tij humbi me rezultatin 3-4. Sulmuesi shqiptar ishte protagonist në një ndeshje plot emocione. Ai shënoi dy gola dhe dhuroi edhe një asist, duke konfirmuar formën e tij shumë të mirë.

Në përfundim të sezonit, Stiven Shpendi e mbylli kampionatin me 15 gola dhe 3 asiste, ndërsa Kristian regjistroi 12 gola dhe 5 asiste, statistika që konfirmojnë sezonin pozitiv të dy talentëve shqiptarë në futbollin italian.

Klan News

/tvklan.al