Banka e Shqipërisë po shton ndjeshëm ndërhyrjet në tregun valutor, por as blerjet rekord të eurove nuk kanë arritur të ndalin forcimin e lekut.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, Banka Qendrore bleu 663.6 milionë euro, më shumë se trefishi i shumës së blerë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm në tremujorin e dytë, blerjet arritën në 524 milionë euro, 224% më shumë se një vit më parë.

Prej tyre, 143 milionë euro u blenë përmes ankandeve të programuara, me synim rritjen e rezervës valutore, ndërsa 381 milionë euro përmes kontakteve të drejtpërdrejta me bankat, në funksion të politikës monetare dhe stabilitetit financiar.

Por presioni mbi kursin mbetet i fortë. Nga rreth 96.64 lekë në fillim të vitit, euro zbriti në afro 92 lekë në fillim të tetorit, duke humbur rreth 5% të vlerës. Në shtator, kursi preku edhe nivelin minimal historik prej 91.4 lekësh.

Pas këtij zhvlerësimi qëndrojnë disa faktorë. Të ardhurat nga eksportet e shërbimeve dhe remitancat, investimet e huaja si dhe suficiti buxhetor kanë ndikuar në uljen e ofertës së lekut në treg.

Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në vitin 2025, kur Banka e Shqipërisë bleu rreth 1.027 miliardë euro, por euro sërish e mbylli vitin në rënie.

Për vitin 2026, objektivi fillestar ishte blerja e 330 deri në 450 milionë eurove vetëm përmes ankandeve të programuara.

Me blerjet e kryera deri tani, ndërhyrjet e përgjithshme e kanë tejkaluar ndjeshëm këtë objektiv. Nëse ritmi vijon, blerjet mund të arrijnë rreth 1.5 miliardë euro deri në fund të vitit, duke vendosur një rekord të ri.

/tvklan.al