Procesi i numërimit tek KZAZ 31 që është në ambientet e shkollës “1 Maji” në Tiranë është ndërprerë. Sipas asaj që raporton gazetarja e Tv Klan Erikleda Dorezi, shkak është bërë tërheqja e anëtarëve të PD.
Ndërkohë në një intervistë për Klan News, zv.kryetari i KZAZ-së Kelvin Shkrela tregon arsyet e tërheqjes së anëtarëve të Partisë Demokratike.
Erikleda Dorezi: Përse aktualisht po numërohen vetëm katër grupe?
Kelvin Shkrela: Na janë larguar numëruesit e PD-së, po procedojmë me katër grupe. Na ka ardhur një njoftim nga KQZ që sipas kodit zgjedhor do duhet ta mbyllim numërimin e votës së subjektit politik brenda orës 22:00. Në këto kushte do të detyrohemi të punojmë edhe me dy persona, që të arrijmë objektivin e KQZ.
Erikleda Dorezi: Çfarë pretendimi kanë paraqitur përfaqësuesit e opozitës për largimin e tyre?
Kelvin Shkrela: Nuk janë shprehur. Kanë shprehur lodhje, kanë kërkuar zëvendësim dhe nuk ju kanë ardhur në ndihmë të tjerë.
Erikleda Dorezi: Ju jeni të vendosur për të vijuar me tetë grupe numërimi?
Kelvin Shkrela: Ne presim një vendim edhe nga inspektori që na mbulon në KQZ dhe atëherë do të fillojmë edhe me tetë grupe, nga dy persona.
Erikleda Dorezi: Ka pasur ndërprerje të procesit të numërimit?
Kelvin Shkrela: Ndërprerje nuk ka pasur, por kemi qenë me numër të reduktuar.
Erikleda Dorezi: Këtu janë 105 qendra votimi. Aktualisht sa janë numëruar?
Kelvin Shkrela: Janë numëruar 17 qendra dhe 4 janë në proces.
Ndërkohë sa i përket orarit kur mund të përfundojë numërimi i votave, Shkrela shprehet se brenda orë 22:00 pritet të kemi rezultatin për subjektin politik. Me mbarimin e numërimit për subjektin politik, do të bëhet dy orë pushim për tu rikthyer për të nisur numërimi për kandidatët.
Për më tepër ne ju ftojmë të informoheni në zgjedhje.tvklan.al për të dhënat rreth pjesëmarrjes së votimit dhe numërimit çdo orë, si dhe krahasimeve me zgjedhjet e mëparshme parlamentare./tvklan.al