Një masiv i madh shkëmbor ka rrëshqitur paraditen e kësaj të diele në aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë.

Rrëshqitja e gurëve dhe masivit shkëmbor në aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë ka bllokuar plotësisht qarkullimin e automjeteve në të dyja drejtimet.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Dragostunjë, ku një masiv dheu dhe gurësh është shkëputur nga mali, duke zënë të gjithë gjerësinë e rrugës dhe duke pamundësuar kalimin e mjeteve.

Policia Rrugore ka apeluar drejtuesit e automjeteve që të shmangin këtë aks deri në një njoftim të dytë, ndërsa shërbimet policore ndodhen në zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin e aksit në kohën më të shkurtër të mundshme.

Sipas Policisë së Elbasanit, qytetarët që udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas duhet të zgjedhin rrugë alternative deri në rikthimin e qarkullimit normal.

Tv Klan

/tvklan.al