12 nëntor 2026 – Si pasojë e pjesëmarrjes në tubime të dhunshme, Policia e Tiranës ka vendosur masë administrative për 26 protestues.

Sipas bluve të Tiranës, pasditen e djeshme këta persona kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit.

Për secilin prej tyre është vendosur masa administrative gjobë me vlerë 5 000 lekë.

Protestat kanë nisur që prej 13 tetorit fillimisht nga studentët që kërkonin kushte më të mira arsimore e dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, e më pas dhe nga qytetarët. Javët e para kanë qenë mjaft intensive sa i përket episodeve të dhunës, djegies e goditjes së institucioneve qeveritare, si dhe përplasjeve të forta me efektivët e policisë.

Nisur nga këto zhvillime, qeveria hartoi një plan masash për ndëshkimin e pjesëmarrësve në tubime të dhunshme. Ndërkohë së fundmi, vetëm grupe të vogla qytetarësh mblidhen përpara kryeministrisë me thirrje kundër qeverisë. Paralelisht, në tubim është angazhuar dhe Partia Demokratike, duke e konsideruar organizimin në mbështetje të studentëve.

/tvklan.al