07 nëntor 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbajtur një konferencë për shtyp pas përfundimit të protestës së sotme të mbajtur në kryeqytet, e cilësuar kombëtare.
PD thirri sot protestë krahas asaj qytetare e studentore, në mbështetje të këtyre te fundit. Mirëpo, te Ministria e Arsimit një grup të rinjsh refuzuan të pranonin mes tyre demokratët. Madje, pati dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe një mbështetësi të PD.
Berisha bën thirrje për bashkim të forcave pavarësisht ndasive, si e vetja mënyrë për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi njëri me tjetrin. Pavarësisht nga dallimet që mund të kemi njëri me tjetrin. Të bashkohemi me studentët të cilët po zhvillojnë një betejë epike kundër të keqes më të madhe të këtij kombi që e ka emrin Edi Rama.
Ju garantoj se Partia Demokratike është e vendosur t’i mbështesë totalisht studentët, revoltën e tyre dhe të respektojë plotësisht të gjithë ata të cilët janë në këtë linjë. Janë të pranishëm. Ftoj, ftoj çdo qytetar të angazhohet në këtë betejë. Bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizje të madhe të paparë që po zhvillohet në Shqipëri”, tha Berisha.
‘Grupet’ që refuzojnë bashkimin e PD me protestën, Berisha i konsideron në shërbim të “regjimit të Ramës”. Kreu i demokratëve tha se kjo është një armë e propagandës, por që nuk do të kenë sukses të përçajnë këtë protestë si atë të “Flamingove”.
“Ata të cilët përdorin modelin me të cilin asgjësuan protestën më gjigante në historinë e vendit, më të bukur, më të jashtëzakonshme siç ishte ajo e flamingove, ata përpiqen të përdorin po atë teknikë, por i garantoj se nuk do kenë sukses. Partia Demokratike është e zotuar të bashkëpunojë me cilindo që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe. Por ajo nuk impresionohet kurrë nga ata që përdorin armën kryesore strategjike të propagandës qeveritare në mbrojtje të qeverisë.
E kjo armë në ABC-në e propagandës konsiston në sulmin kur një qeveri apo një kryeministër zhytet në skandale, kapet si hajdut, kapet në krime, aktin e parë bën, krahason veten me dikë tjetër që s’ka kryer asnjë krim, që s’ka bërë asnjë skandal, me një forcë tjetër politike ta zëmë që është në opozitë prej 13 vitesh dhe me këto ai godet përgjegjësinë”, tha Berisha.
Ndër të tjera, Berisha bëri thirrje për lirimin e çdo protestuesi të arrestuar apo të shoqëruar në komisariate. Kreu i PD shtoi se gjobat që u janë vendosur të rinjve për “pjesëmarrje në tubime të dhunshme”, do t’u rikthehen atyre me vlerë tre herë më të lartë.
“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve të ndaluar në komisariate. Garantoj çdo student dhe qytetar se gjobat e narkoshtetit do t’u rikthehen atyre me vlerë tre herë më të lartë, por edhe gjobvënësi që vë firmën e tij, do të paguajë shumë shtrenjtë atë firmë që vendos.
U rikujtoj atyre që marrin aktin antikushtetues të firmosjes së firmave, mos kryeni krime të tilla se dhe penalisht mund të ndiqeni, paçka se absolutisht me rrogat tuaja, me të ardhurat tuaja, do të dëmshpërblehen të gjithë ata që keni ndëshkuar”, tha Berisha.
/tvklan.al












Botërori 2026 