Bordi i Paqes i ngritur nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur planin e përfundimit të luftës në Gaza, ka akuzuar Izraelin dhe Hamasin se nuk kanë përmbushur angazhimet për ndalimin e luftimeve. Sipas raportit të tij, situata në terren mbetet shumë e rëndë për popullsinë palestineze, ndërsa armëpushimi rrezikon të dështojë.
Raporti prej 12 faqesh, i siguruar nga Reuters, është i dyti që Bordi i Paqes i paraqet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja 13 muaj më parë. Gjetjet pritet të prezantohen në një mbledhje të Këshillit në Nju Jork, në fund të muajit nëntor.
Në dokument theksohet se, pavarësisht marrëveshjes, ekziston një hendek i madh mes asaj që palët kanë pranuar dhe asaj që po ndodh në terren. Sipas raportit, një armëpushim që nuk sjell përmirësime të dukshme në jetën e njerëzve nuk mund të mbahet pafundësisht.
Megjithëse armëpushimi ka ndalur përplasjet e mëdha, plani më i gjerë për përfundimin e luftës ka mbetur në vendnumëro. Ai parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe nisjen e rindërtimit të Gazës.
Në korrik, Hamasi pranoi një plan të propozuar nga Bordi i Paqes, sipas të cilit do të dorëzonte armët dhe do t’ia kalonte drejtimin e Gazës një autoriteti civil të përkohshëm. Izraeli e kundërshtoi këtë plan, duke deklaruar se nuk do të tërheqë trupat derisa Hamasi të çmontohet plotësisht.
Ndërkohë, Izraeli ka vijuar sulmet pothuajse çdo ditë në Gaza, ndërsa sipas raportit, edhe luftëtarët e Hamasit kanë vazhduar sulmet ndaj trupave izraelite.
“Çdo ditë që Izraeli vazhdon sulmet ndaj objektivave të Hamasit, vonohet edhe mundësia për të vënë në provë angazhimin e këtij të fundit për zbatimin e planit”, thuhet në raport.
Dokumenti thekson gjithashtu se Hamasi nuk i ka ndalur plotësisht aktivitetet ushtarake dhe se popullsia e Gazës po përballet me një tjetër dimër në tenda dhe mes rrënojave.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim, e hodhi poshtë raportin, duke e cilësuar si “dezinformim të pastër”. Ai akuzoi Bordin e Paqes se po i krijon mundësi Izraelit të shmangë detyrimet e marrëveshjes dhe të vazhdojë sulmet në Gaza. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyra e tij nuk kishin reaguar ende ndaj kërkesës së Reuters për koment.
Raporti kritikon gjithashtu qeverinë izraelite për mungesën e vendimeve lidhur me krijimin e një force policore civile palestineze, e cila do të trajnohej dhe do të merrte përsipër sigurinë në Gaza, duke zëvendësuar Hamasin në këtë funksion. Sipas dokumentit, vonesat në këtë proces po pengojnë zbatimin e plotë të planit të paqes.
Një tjetër problem është kufizimi nga Izraeli i hyrjes së furnizimeve dhe pajisjeve në Gaza, si dhe mungesa e fondeve. Këta faktorë kanë vështirësuar përgatitjet për përballimin e përmbytjeve sezonale. Javën e kaluar, reshjet e dendura të shiut përmbytën kampet ku strehohen palestinezët e zhvendosur, ndërsa parashikohen reshje të tjera gjatë këtij muaji.
Nga ana tjetër, raporti thotë se Hamasi po mbledh taksa për mallrat që hyjnë në Gaza, duke ndikuar në furnizimin e popullsisë me produktet bazë.
Më shumë se dy milionë palestinezë jetojnë të kufizuar në rreth një të tretën e territorit të Gazës, kryesisht në tenda të improvizuara dhe ndërtesa të dëmtuara. Ndërkohë, Izraeli kontrollon rreth dy të tretat e territorit, pjesa më e madhe e të cilit është shkatërruar dhe zbrazur nga banorët.
Bordi i Paqes u krijua nga Trump për të mbikëqyrur planin e tij për përfundimin e luftës, e cila nisi pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023. Gjatë atyre sulmeve u vranë rreth 1,200 persona në Izrael, ndërsa ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar deri tani rreth 74 mijë viktima palestineze.
Edhe pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në tetor 2025, dhuna nuk është ndalur plotësisht. Sipas të dhënave të raportit, që prej asaj kohe janë vrarë më shumë se 1,600 palestinezë, përfshirë shumë civilë, si dhe pesë ushtarë izraelitë.
Plani i Trump ka marrë mbështetje të gjerë ndërkombëtare, megjithëse vetë Bordi i Paqes është pritur me skepticizëm nga disa prej aleatëve perëndimorë të SHBA-së.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të mërkurën se Izraeli nuk do të tërheqë trupat nga Gaza derisa Hamasi të çarmatoset dhe territori të çmilitarizohet. Kjo qëndron në kundërshtim me kërkesat për zbatimin e plotë të planit të armëpushimit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
