Nafta shtrenjtohet sërish në Shqipëri. Bordi i Transparencës ka vendosur sot më 12 nëntor rritjen me 5 lekë për litër të çmimit të shitjes me pakicë të naftës, duke e çuar atë në 210 lekë.
Çmimi i ri hyn në fuqi këtë të enjte, në orën 18:30, dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit. Ndërkohë, çmimi i benzinës është përcaktuar në 165 lekë për litër, ndërsa ai i gazit për automjetet në 71 lekë për litër.
Vendimi vjen në kuadër të masave për monitorimin dhe kufizimin e përkohshëm të çmimeve në tregun e hidrokarbureve.
Njoftim për Shtyp
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 12 Nëntor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 165 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 153 lekë/litër.
Cmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.
Gjithashtu, çmimi i gazoilit për aktivitetin e peshkimit do të jetë 114 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 12 ora 18.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
/tvklan.al












Botërori 2026 
