Raportim Live

Trump zgjat ndalimin e sulmeve ndaj Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka zgjatur për 10 ditë pezullimin e sulmeve ndaj sektorit energjetik iranian, deri më 6 prill 2026, ora 20:00, sipas kohës së Washingtonit.

Ai tha se vendimi u mor pas kërkesës së qeverisë iraniane. Trump theksoi se negociatat mes palëve po ecin shumë mirë. Ai kritikoi gjithashtu raportimet e mediave, duke i cilësuar si “Fake News”. Lajmin e dha përmes një postimi në platformën Truth.

Rubio bën thirrje: Të rihapet Ngushtica e Hormuzit, në interes dhe të G7

Sekretari i Shtetit Amerikan, Marco Rubio, deklaroi se është në interesin e vendeve të G7 që të rihapet Ngushtica e Hormuzit.

Ai e bëri këtë deklaratë para nisjes drejt Francës për samitin e G7. Sipas tij, siguria e këtij rrugëkalimi strategjik është kyçe për stabilitetin dhe furnizimin global me energji.

download app

Regjimi në Iran shumë i fortë, këtë e ka kuptuar dhe Izraeli?

Pas tre javësh sulmesh, shpresat për një revoltë të brendshme në Iran thuajse janë shuar.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, regjimi mbetet i fortë, dhe Izraeli ka ndërprerë sulmet ndaj forcave të sigurisë, duke u përqendruar tek infrastruktura ushtarako-industriale.

Janë goditur fabrika armësh, objekte detare dhe qendra kërkimore për të dobësuar kapacitetet ushtarake iraniane. Qëllimi tani është të maksimizohet dëmi para një mundësie të mundshme për ndërprerje të konfliktit nga administrata Trump.

Kina: SHBA-të dhe Irani të gatshëm të rifillojnë negociatat

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, deklaroi se SHBA-të dhe Irani kanë dëshirë për të rifilluar bisedimet.

Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të inkurajojë palët të gjejnë një zgjidhje politike për konfliktin. Wang theksoi gjithashtu se Kina dhe Kanadaja mund të luajnë një rol konstruktiv në nxitjen e marrëveshjes dhe uljen e tensioneve.

Ushtria izraelite: Do shkatërrojmë Hezbollahun, vramë 750 militantë

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se kanë zgjeruar operacionet ushtarake në jug të Libanit me synimin për të krijuar një “zonë sigurie” kundër milicisë së Hezbollahut.

Sipas komandës veriore të IDF-së, deri më tani janë vrarë rreth 750 operativë të grupeve armike që veprojnë në zonë, ndërsa ushtria shpjegon se veprimi është pjesë e një plani për të shtyrë kërcënimin larg popullsisë në veri dhe për të mbrojtur zonat kufitare.

Luftimet në jug të Libanit kanë shkaktuar dhjetëra vdekje dhe shumë të zhvendosur, ndërsa Hezbollahu vazhdon të sulmojë me raketa territoret izraelite. Qeveria e Izraelit thotë se operacioni do të vazhdojë, derisa kërcënimi ndaj komuniteteve në veri të vendit, të eliminohet.  

Irani ashpërson gjuhën: Nuk pranojmë ultimatume, të vendosur deri në fitore

Presidenti i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka falenderuar popullin për 25 netët e protestave dhe përkushtimin e Forcave të Armatosura.

Ai deklaroi se asnjë ultimatum nuk mund t’i imponohet Iranit dhe se vendi do të vazhdojë betejën, deri në arritjen e një fitoreje historike.

Ghalibaf tha se Irani do të thyejë ciklin “luftë-marreveshje-luftë” dhe nuk do të heqë dorë nga qëllimet e tij.

Presidenti iranian falenderon Moskën për mbështetjen

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka falenderuar autoritetet dhe popullin rus për mbështetjen e tyre ndaj Iranit, duke shkruar një mesazh në gjuhën ruse në platformën X për të shprehur mirënjohjen ndaj presidentit Putin.

Ai tha se mesazhet e Putinit dhe mbështetja e rusëve “i frymëzojnë” iranianët në këtë kohë krize, duke premtuar forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Një i vrarë dhe 25 të shtruar në spital pas një sulmi me raketa në veri të Izraelit

Një person ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me raketa në zonën e Nahariyas, në veri të Izraelit. Sipas shërbimit të emergjencës Magen David Adom, 25 persona të tjerë janë transportuar në spital, ndërsa një burrë rreth të 50-ave ka pësuar plagë nga copëzat shpërthyese në gjymtyrë.

Më tej bëhet e ditur se 13 persona kanë pësuar lëndime të lehta nga shpërthimi dhe fragmentet, ndërsa 11 të tjerë raportohen se vuajnë nga ankthi.

Mediat izraelite raportojnë se raketat janë lëshuar nga Libani. Përditësime të mëtejshme pritet të publikohen në vijim.

Kjo e enjte, 26 mars, shënon ditën e 27-të të luftës në Lindjen e Mesme. Administrata e Donald Trump ka propozuar një plan paqeje me 15 pika për Iranin (i dërguar përmes Pakistanit), por Teherani e ka refuzuar dhe ka vendosur kushtet e veta. Ndërkohë, zyrtarë amerikanë thonë se negociatat vazhdojnë, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse nuk arrihet marrëveshje.

Donald Trump “kapet” sërish me aleatët e NATO-s: S’jam i sigurt nëse na mbështesni

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi aleatët europianë, duke thënë se SHBA-të i ka mbrojtur gjithmonë nga Rusia, por tani nuk është më e sigurt për këtë angazhim.

Ai theksoi se një “oqean i madh e i bukur” i ndan nga Europa dhe se ndihma amerikane nuk është më e garantuar si më parë. Deklaratat e tij ngjallin shqetësim mbi qëndrueshmërinë e aleancës së NATO-s.

Trump vijon strategjinë e dyfishtë ndaj Iranit

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit (siç është raportuar edhe në publikimet e fundit), Donald Trump përsëriti qëndrimin e tij se Irani duhet të hyjë në negociata për t’i dhënë fund luftës, ndërsa paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë “ta godasin pa ndërprerje” nëse Teherani nuk pranon të ulet në tryezën e bisedimeve.

Deklaratat e Trump kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi gjendjen e bisedimeve indirekte mes SHBA-ve dhe Iranit.

Presidenti këmbënguli, siç ka bërë edhe në ditët e fundit, se Irani synon arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit. Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë deklaruar se vendi nuk është duke negociuar me SHBA-të.

Të mërkurën, Irani hodhi poshtë gjithashtu një plan paqeje të propozuar nga SHBA-të, i cili, sipas raportimeve, kërkonte që regjimi të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor dhe të kufizonte kapacitetet e raketave balistike. Gjatë mbledhjes së kabinetit, Steve Witkoff konfirmoi se SHBA-të i kishin paraqitur Iranit një plan paqeje me 15 pika, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e tij.

Trump nuk përmendi refuzimin fillestar të planit nga Irani, as vendimin e tij për të dislokuar trupa tokësore në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se vendimi tashmë i takon Iranit dhe paralajmëroi se regjimi do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pranon një armëpushim.

“Nëse nuk e bëjnë, ne jemi makthi i tyre më i keq”, u shpreh Trump. “Do të vazhdojmë t’i godasim pa pushim, pa pengesa.”

E paqartë mbetet mënyra se si SHBA synon ta detyrojë Iranin të ulet në tryezën e negociatave, si dhe pse një valë e re sulmesh do të ndryshonte qëndrimin e Teheranit, në një kohë kur afro katër javë konflikt nuk kanë sjellë një rezultat të tillë.