Tensionet në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit dhe Izraelit kanë tronditur tregjet globale të energjisë. Në qendër të krizës është ngushtica strategjike e Hormuzit, një korridor detar jetik për furnizimin me naftë dhe gaz në botë. Mbyllja e saj për më shumë se një javë ka shkaktuar luhatje të forta në çmimet e naftës dhe frikë për një krizë të re globale energjetike.
Sipas analistëve të tregut, pothuajse asnjë anije cisternë nuk po kalon aktualisht përmes kësaj ngushtice, e cila lidh Gjirin Persik me pjesën tjetër të botës. Kjo do të thotë se miliona fuçi naftë dhe gaz nuk po arrijnë në tregjet ndërkombëtare.
“Rritja e çmimeve është shkaktuar nga dy faktorë kryesorë. Së pari, pothuajse nuk ka fare tranzit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, që do të thotë se energjia dhe nafta nuk po dalin nga Gjiri Persik. Së dyti, për shkak se ky korridor është praktikisht i mbyllur, vendet e rajonit po shterojnë rezervat e tyre në depo dhe po detyrohen të ndalin prodhimin”, deklaroi analisti Naveen Das.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë. Çdo ditë përmes saj kalojnë rreth 16 milionë fuçi naftë, që përfaqësojnë një pjesë të madhe të furnizimit global.
Kur trafiku në këtë korridor bllokohet, ndikimi në tregje është i menjëhershëm.
Në fillim të javës, çmimi i naftës Brent arriti nivelin më të lartë në më shumë se tre vite. Por më pas tregu reagoi menjëherë pas deklaratave nga Shtetet e Bashkuara.
“Mendoj se kjo do të përfundojë shpejt, shumë shpejt. Praktikisht gjithçka që ata kishin është shkatërruar, përfshirë edhe udhëheqjen e tyre”, njoftoi Trump.
Deklaratat e presidentit amerikan për një përfundim të afërt të luftës krijuan pritshmëri në tregje se trafiku i anijeve mund të rikthehet normalisht në Ngushticën e Hormuzit.
Si rezultat, çmimet e naftës ranë ndjeshëm.
Nafta Brent ra rreth 7 për qind gjatë së martës, duke zbritur në rreth 92 dollarë për fuçi.
“Kur ka deklarata që sugjerojnë se konflikti po përfundon, tregjet presin që anijet të kalojnë sërish lirshëm dhe furnizimi të rritet, gjë që ul çmimet. Por kur retorika përshkallëzohet dhe ka kërcënime apo sulme të reja, rritet frika për ndërprerje të furnizimit dhe çmimet po ashtu rriten”, pohoi Das.
Ndërkohë, situata në terren ka detyruar disa vende prodhuese të reduktojnë prodhimin e naftës.
Në shumë raste kjo nuk lidhet me dëshirën për të kufizuar prodhimin, por me mungesën e mundësisë për ta eksportuar atë.
“Nëse nuk mund ta eksportosh naftën, fillimisht përdor depozitat në det, pastaj rezervat në tokë dhe furnizon rafineritë vendase. Por kur edhe këto mbushen, nuk ke zgjidhje tjetër përveçse të ndalosh prodhimin”, tha ndër të tjera Das.
Sipas të dhënave të analistëve të tregut, prodhimi i naftës në Lindjen e Mesme ka rënë me rreth 4.9 milionë fuçi në ditë që nga fillimi i konfliktit.
Iraku ka pësuar rënien më të madhe, me prodhimin që ka rënë nga mbi 4 milionë fuçi në vetëm rreth 1.3 milionë në ditë.
Sulmet kanë goditur gjithashtu disa nga objektet më të rëndësishme të industrisë energjetike në rajon. Rafineri, depo karburanti dhe porte strategjike janë përfshirë nga zjarret pas bombardimeve me dronë dhe raketa.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe është mbyllur një nga rafineritë më të mëdha, ndërsa në Arabinë Saudite është goditur rafineria e Ras Tanuras.
Pasojat e krizës po ndihen tashmë nga konsumatorët në shumë vende të botës.
Në Shtetet e Bashkuara, çmimi i benzinës ka arritur deri në 5 dollarë e 99 cent për galon në disa pika karburanti.
“Ndikimi i parë ndihet në pompat e karburantit. Nafta përpunohet për të prodhuar benzinë, naftë për transport, karburant për avionë dhe shumë produkte të tjera. Kur çmimet rriten, ndikimi përhapet në gjithë ekonominë”, pohoi analisti Das.
Por efekti nuk ndalet vetëm tek karburanti për makinat.
Çmimet më të larta të energjisë ndikojnë edhe në transportin ajror, prodhimin industrial dhe madje edhe në ushqim.
“Rritja e çmimeve të energjisë ndikon edhe në prodhimin e plehrave kimike dhe në furnizimin me ujë në rajon. Kjo mund të çojë në rritje të çmimeve të ushqimeve dhe të produkteve të përditshme”, tha Das.
Situata është veçanërisht shqetësuese për vendet e Azisë, të cilat varen shumë nga furnizimi me energji nga Gjiri Persik.
“Kina ka rezerva të mëdha nafte, rreth 1.2 miliardë fuçi. Por vendet e Azisë Juglindore dhe Koreja e Jugut kanë rezerva vetëm për 20 deri në 50 ditë”, u shpreh analisti.
Për të përballuar krizën, disa qeveri po marrin masa të jashtëzakonshme.
Koreja e Jugut ka vendosur kufij për çmimet e karburantit për të shmangur panikun në treg. Vende të tjera po përpiqen të sigurojnë furnizime alternative nga prodhues të tjerë të naftës.
Në të njëjtën kohë, vendet e G7 po shqyrtojnë një tjetër mundësi për të stabilizuar tregjet: përdorimin e rezervave strategjike të naftës.
“Ministrat e G7 kanë ende një kartë për të luajtur: lirimin e rreth 400 milionë fuçive nga rezervat strategjike të naftës. Kjo do të kishte një ndikim të madh në ekonominë globale dhe do të ndihmonte në uljen e çmimeve”, deklaroi Das.
“Rezervat e naftës janë krijuar pikërisht për situata të tilla krize dhe ndërprerjeje furnizimi. Po diskutojmë për një veprim të koordinuar në nivelin e vendeve të G7, por ende nuk është marrë një vendim konkret”, njoftoi Valdis Dombrovskis, komisioneri ekonomik evropian.
Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se ndikimi i konfliktit mund të jetë edhe më i madh për gazin natyror.
“Rreth 20 për qind e gazit natyror të lëngshëm në botë kalon çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit. Nëse kjo rrugë mbetet e bllokuar, ndikimi në industri dhe ekonomi do të jetë shumë i madh”, pohoi analisti Das.

Për momentin, tregjet globale të energjisë mbeten në pritje të zhvillimeve të reja në Lindjen e Mesme. Nëse konflikti zgjatet dhe transporti në Ngushticën e Hormuzit mbetet i bllokuar, ekspertët paralajmërojnë se bota mund të përballet me një krizë energjetike dhe ekonomike të ngjashme me goditjet e mëdha të naftës në vitet ’70.
Klan News












Botërori 2026 