Zvicra e Granit Xhakës do të nisë Botërorin 2026 me sfidën ndaj Katarit sot në orën 21:00 në Santa Clara të Kalifornisë. Skuadra helvetike është favorite, ndërsa që prej vitit 1994 nuk ka humbur asnjë nga sfidat hapëse të Kupës së Botës: 3 fitore dhe 3 barazime. Pas një faze kualifikuese ku nuk u gjend asnjëherë në disavantazh, kërkon të tregojë më shumë në fushë se në turnetë e kaluar.
Katari, pas debutimit si organizator në një fazë finale të Botërorit 4 vite më parë, ku pësoi vetëm humbje, kësaj here siguroi vendin nga kualifikueset dhe me trajnerin Julen Lopetegui synon të marrë më shumë.
Brazili do të nisë garën për të fituar titullin e gjashtë botëror. 3 suksese dhe 11 gola të shënuar në ndeshjet miqësore para këtij turneu e bëjnë favorit ndaj Marokut në sfidën që do të luhet pas mesnate me orën shqiptare. Carlo Ancelotti synon të hyjë në histori si i pari trajner i huaj që shpall Seleçaon kampion. Në anën tjetër, Maroku që u rendit i katërti në Botërorin e kaluar nuk ka në plan të dorëzohet lehtë.
Të rikthyerit pas shumë vitesh në Botëror, Haiti dhe Skocia, do të luajnë ndeshjen e tyre në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës. Favorit është ekipi europian që mungonte në Kupën e Botës prej vitit 1998, por Haiti është i motivuar më shumë se kurrë, pasi luan në turneun më elitar për kombëtare pas më shumë se gjysmë shekulli.
Në orën 06:00 të mëngjesit, Turqia do të luajë me Australinë. Të gjitha këto takime do të transmetohen në Tv Klan.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 