Pritjes së gjatë i erdhi fundi. Kupa e Botës më e gjatë në histori ngriti siparin në “Azteca”, me emocionet që u përjetuan ekskluzivisht dhe falas në TV kombëtar Klan.
Stadiumi legjendar në Mexico City u shndërrua në një spektakël të paharrueshëm, duke kombinuar traditën, muzikën dhe teknologjinë moderne në një shfaqje madhështore.
Aktiviteti nisi me një koreografi mbresëlënëse në qendër të fushës, ku një top i artë gjigant u shfaq para mijëra tifozëve të pranishëm.
Pak çaste më vonë, ai u transformua në një trofe gjigant të Kupës së Botës, ndërsa qindra valltarë të veshur me kostume tradicionale meksikane performuan një valle që pasqyronte historinë e pasur dhe qytetërimet e lashta të Meksikës.
Pas segmentit kulturor, skena iu la muzikës. Grupi i njohur meksikan i rokut Manà elektrizoi atmosferën me performancën e tij, ndërsa i gjithë stadiumi këndoi në unison hitet e tyre më të njohura.
Kulmi i mbrëmjes erdhi me paraqitjen e superyllit kolumbian Shakira, e cila u prit me ovacione të shumta nga publiku. Ajo interpretoi këngën zyrtare të Kupës së Botës, “Dai Dai”, së bashku me reperin nigerian Burna Boy, duke ndezur entuziazmin e tifozëve.
Pjesë e saj ishte edhe legjenda e muzikës italiane, tenori Andrea Bocelli, duke i dhënë ceremonisë një fund spektakolar.
Me këtë ceremoni madhështore, FIFA shënoi zyrtarisht nisjen e Kupës së Botës 2026, që pritet të dhurojë emocione të shumta gjatë javëve në vijim.
/tvklan.al












Botërori 2026 
