Në mbledhjen e grupit parlamentar deputeti Erion Braçe ka kërkuar largimin e ministrit të Transporteve Spartak Poçi.

Erion Braçe: “Meqë ministri zakonisht mungon në mbedhje grupi, u detyrova ta bëj pa prezencën e tij, natyrisht që do ta bëj dhe me prezencë të tij kur të vijë ashtu siç do të kërkoj edhe të shikohet apo të kontrollohen mënyrat e përdorimit të fondeve, kryesisht të fondeve që jepen për mirëmbajtjen, sinjalistikën edhe sigurimin në rrugë dhe, e dyta, që është akoma më e rëndësishme, tolerancë zero përkundrejt gjjithë ndërtimeve që po bëhen buzë rrugëve nacionale. Po ndërtohet një Shqipëri tjetër informale buzë rrugëve kombëtare dhe që përbëjnë rrezikun maksimal, jo vetëm për njerëzit, por edhe për lopët, bagëtitë e të tjera me radhë.”

Pas tragjedisë së 15 gjimnazistëve kosovarë në urën Bicaj në Fushë-Arrëz, të njëjtën kërkesë e paraqitën edhe përfaqësuesit e lëvizjes “MJAFT” dy ditë më parë. Ligjvënësit socialistë kanë diskutuar dhe mbi projektligjin për legalizimin e zonave informale. Varianti i qeverisë është prezantuar nga ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Bashkim Fino, i cili ka gjetur mbështetjen e deputetëve socialistë. /tvklan.al