Aktori i njohur i Hollywood-it, Brad Pitt, ka shprehur dëshirën për të interpretuar rolin e antagonististit në filmin e ardhshëm të sagës “James Bond”, ku agjenti 007 do të portretizohet nga Robert Pattinson.

Aktori 62-vjeçar foli për këtë mundësi gjatë premierës së filmit të tij të ri “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, e zhvilluar të hënën, më 16 nëntor, në Los Angeles. Pikërisht gjatë parakalimit në tapetin e kuq, ai u informua për zgjedhjen e Pattinson në rolin e agjentit 007.

I pyetur nëse do të pranonte të luante kundërshtarin e James Bond, Pitt u shpreh i entuziazmuar: “Robert… E dini çfarë? Do të doja ta bëja këtë rol”.

Ai përmendi gjithashtu mikun dhe kolegun e tij, Javier Bardem, i cili interpretoi antagonistin Raoul Silva në filmin “Skyfall” të vitit 2012.

“Javier, miku im, e bëri aq mirë. Është e vështirë të arrish nivelin e tij, por po, do ta merrja përsipër një rol të tillë”, deklaroi aktori.

Pitt nuk i kurseu vlerësimet as për Robert Pattinson, duke shprehur entuziazmin për zgjedhjen e tij në rolin e agjentit të famshëm.

“Më pëlqen shumë kjo ide. Më pëlqejnë filmat që ka bërë deri tani dhe zgjedhjet e tij artistike. Mendoj se është vërtet i jashtëzakonshëm”, u shpreh ylli i Hollywood-it.

“Është fantastike. Një zgjedhje shumë e mirë. Më pëlqen”, shtoi ai, ndërsa në premierë shoqërohej nga partnerja e tij, Ines de Ramon.

/tvklan.al