Ekonomia shqiptare po ruan ritmet e rritjes, pavarësisht presioneve të reja nga jashtë.
Tremujori i parë u mbyll me rritje 3.7%, ndërsa sinjalet e Bankës së Shqipërisë tregojnë një ecuri të ngjashme edhe në tremujorin e dytë.
Punësimi, pagat, konsumi dhe investimet vijojnë të mbështesin aktivitetin ekonomik.
“Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë trende pozitive zhvillimi. Rritja prej 3.7% në tremujorin e parë është një shifër solide dhe pritjet tona janë që të kemi një ecuri të ngjashme edhe në tremujorin e dytë. Punësimi dhe pagat janë në rritje, ndërsa bilancet financiare të familjeve dhe bizneseve shfaqen të qëndrueshme”, tha drejtori i departamentit të politikës monetare në BSH, Erald Themeli.
Por tabloja ka edhe një presion të ri, inflacioni, i cili si shkak kryesor ka çmimet e naftës. Megjithatë, forcimi i lekut ka amortizuar një pjesë të goditjes së jashtme.
“Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar në rritjen e inflacionit, por kemi të bëjmë me një rritje të kontrolluar. Në afatmesëm, pritshmëria jonë mbetet për një inflacion rreth 3%. Presim një rritje të përkohshme në dy-tre muajt e mbetur të vitit, por jo një shmangie të konsiderueshme nga objektivi dhe më tej, gjatë vitit 2027, një rënie graduale drejt tij”, tha Themeli.
Ndërkohë, një nga amortizatorët kryesorë të inflacionit mbetet kursi i këmbimit.
Në qershor, euro zbriti në një mesatare prej 94.8 lekësh, nga 96 lekë në mars, ndërsa në korrik zbriti edhe më tej, në 93.8 lekë në tri javët e para.
“Forcimi i kursit të këmbimit po ndihmon në reduktimin e përcjelljes së inflacionit të huaj në ekonominë shqiptare. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë ndihmuar që ky forcim të jetë më i moderuar. Në të njëjtën kohë, rritja e të ardhurave nga turizmi dhe përmirësimi i pozicionit të jashtëm janë faktorë që mbështesin këtë ecuri”, tha Themeli.
Perspektiva e Bankës së Shqipërisë mbetet pozitive, rritje e qëndrueshme ekonomike dhe kthim gradual i inflacionit drejt objektivit 3%.
/tvklan.al












Botërori 2026 