Transfertat e brendshme bankare në euro në vendin tonë kanë njohur rritje të konsiderueshme në 8 muajt e parë të këtij viti sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.
Vetëm përgjatë periudhës Janar-Gusht 2024, vlera totale e transaksioneve arriti në 3.3 miliardë euro, rritje me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Këto të dhëna të transfertave në sistemin AIPS Euro tregojnë njëkohësisht edhe nivelin e lartë të përdorimit të monedhës europiane në transaksionet e brendshme ekonomike, çka lidhet edhe me prurjet nga turistët e huaj.
Bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, rritja e transfertave në Euro tregon se kjo valutë ka gjetur përdorim të madh në kanalet zyrtare të bankave për kryerjen e pagesave.
Me mekanizmat e ri të sistemit të AIPS Euro, Banka e Shqipërisë përcaktoi edhe vlerat tavan që bankat tregtare mund t’ju ngarkojnë klientëve të tyre për komisionet.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore edhe depozitat në euro u rritën ndjeshëm gjatë këtij viti, duke shënuar në fund të Korrikut vlerën e 7.63 miliardë eurove ose rritje me rreth 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Klan News