Ritmi i rritjes ekonomike do të jetë pozitive dhe për vitin 2011. Kreu i Bankës Qendrore Ardian Fullani në daljen e tij të radhës para mediave konfirmoi ecurinë pozitive të ecurisë shqiptare për tremujorin e katërt të vitit të shkuar.
Ardian Fullani: “Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010. Rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga kërkesa e huaj për eksportet shqiptare, megjithatë edhe kërkesa e brendshme ka shfaqur shenja gjallërimi së fundmi sikurse dëshmohet nga ecuria e kredisë bankare.”
Në këtë tremujor deficiti buxhetor pësoi ulje, kjo pasi sipas Fullanit të ardhurat buxhetore shënuan rritje.
Ardian Fullani: “Shpenzimet publike janë tkurrur me rreth 5 % në terma vjetor ndërsa deficiti buxhetor është ulur me rreth 4% të PDB-së. Banka e Shqipërisë e ka theksuar gjithmonë se qëndrueshmëria fiskale është një parakusht themelor për një rritje afatgjatë ekonomike.”
Gjate tre muajve të fundit të viti 2010 sistemi bankar ka shënuar ecuri pozitive pasi kredia në muajin dhjetor u rrit me 10.6%.
Ardian Fullani: “Parametrat e kënaqshëm të sistemit bankar në termat të likuiditetit dhe të kapitalizimit të tij kanë mundësuar një mbështetje të madhe të sektorit privat me kredi bankare.”
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve Fullani foli edhe për raportin e autoritetit të konkurrencës për bankat.
Ardian Fullani: “Raporti i institucionit të konkurrencës nuk parashikon asnjë element të një konkurrence jo reale për sa i përket sistemit bankar shqiptar. Ajo që është e rëndësishme është që shpenzimet e tarifat dhe njëkohësisht çmimi i disa produkteve në monedhën vendase ka vend për tu rregulluar. Për produktet që Banka e Shqipërisë i jep sistemit bankar shqiptar nëpërmjet sistemit të kleringut për pagesat e vogla dhe për pagesat e mëdha, Banka e Shqipërisë vë një kufi i cili do të shërbejë si një tavan për çmimet që sistemi bankar shqiptar i transmeton konsumatorit.”
Fullani e quajti rritjen e çmimeve në vend i brenda normës së caktuar nga Banka e Shqipërisë, sipas tij rritja e çmimeve ka ardhur kryesisht nga tregjet ndërkombëtare./tvklan.al












Botërori 2026 