Ukraina mund të rifillojë sot transitin e naftës ruse drejt Hungarisë përmes naftësjellësit Druzhba. Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ministri hungarez për Çështjet Evropiane, János Bóka.

“Sot isha në Bruksel, ku diskutova, ndër të tjera, për rifillimin e operacioneve të naftësjellësit Druzhba. Skenari më i mundshëm është që pala ukrainase të njoftojë rifillimin e operacioneve rreth mesditës së së martës”, deklaroi Bóka.

Ministri sqaroi se “pas njoftimit, operatori do të kontaktojë Grupin Mol”, i cili furnizohet me naftë ruse për rafineritë e tij në Hungari dhe Sllovaki.

Kohët e fundit, në marrëveshje me qeverinë, kompania ka përdorur naftë nga rezervat strategjike kombëtare hungareze.

Furnizimet përmes Druzhba-s janë ndërprerë që prej 27 janarit. Bóka theksoi se “nëse Hungaria nuk do të kishte bllokuar kredinë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, furnizimet me naftë përmes këtij naftësjellësi nuk do të ishin rifilluar kurrë”.

“Strategjia hungareze funksionoi: ukrainasit mbaruan paratë para se ne të mbaronim naftën”, shtoi ministri, duke akuzuar Komisionin Evropian se ka refuzuar të mbrojë sigurinë energjetike të Budapestit.

/tvklan.al