Mund të marrim me mend që fëmijët e vegjël të kenë frikë nga gjilpërat dhe gjaku, por përveç tyre duket se e njëjta gjë vlen edhe për burrat e rritur.

Sipas mjekes laboratore, Anisa Daka, e cila ishte e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan, u shpreh se në fakt janë meshkujt e rinj, të moshës 20-30 vjeç, të cilët i frikësohen gjakut.

“Ndodh sidomos tek djemtë e rinj, të moshës 20-30, që t’i zërë gjaku dhe këto janë të menaxhueshme plotësisht në laborator, se poltroni është që shtrihet prapa, ngritja e nivelit të këmbëve për të rritur presionin e gjakut që shkon në kokë… Ndodhin, por që janë situata të menaxhueshme plotësisht.

Ne (vajzat) jemi më trime, jo vetëm në analiza, dua ta theksoj, por që është një trend që djemtë e rinj kanë frikën e shpimit, çfarë do më ndodhë, si do më ndodhë…”, u shpreh Daka.

Diçka të tillë e konfirmoi edhe mjekja e familjes, Sosela Rrusho, bazuar në eksperiencën e saj.

“Në klinikën që unë punoj patjetër që kemi edhe laborator dhe unë shpesh herë thirrem nga stafi infermieror për pacientë meshkuj që janë në gjendje të fikëti në terma popullorë. Kjo është një nga arsyet kryesore që infermierët më thërrasin për të bërë një vlerësim, pra për të matur ato shenjat vitale, parametrat, e janë ata meshkuj të gjatë, që ti nuk e dyshon fare domethënë që mund të kenë probleme. E infermieret, ngaqë mendojnë se nuk ka problem, harrojnë edhe ndonjëherë t’i pyesin. Mund të dëshmoj se mbi 80% të rasteve që jam thirrur janë raste të tilla, ose edhe në fund pasi ka përfunduar marrja e analizave, kur shohin gjakun, edhe aty fillojmë të kemi episode të tilla”, u shpreh ajo.

/tvklan.al