Buxheti i vitit 2027 parashikon 35.15 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore në vend. Fondi do të përdoret për financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, përfundimin e akseve që janë në proces ndërtimi, si dhe nisjen e investimeve të reja që synojnë përmirësimin e lidhjeve rrugore mes qyteteve dhe rajoneve të Shqipërisë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se një pjesë e konsiderueshme e këtij buxheti do të shkojë për projekte strategjike që konsiderohen të rëndësishme për zhvillimin e transportit në vend.

Dy prej investimeve kryesore që do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit janë autostrada Tiranë-Durrës dhe aksi Tiranë-Ndroq-Plepa. Sipas ministrit, financimi i plotë nga buxheti do të krijojë mundësi për përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e këtyre akseve, në një kohë sa më të shkurtër. Ndërkohë, një tjetër projekt i rëndësishëm, bypassi i Elbasanit, do të kalojë në një skemë të re financimi përmes buxhetit të shtetit, duke i dhënë një perspektivë të re realizimit të tij.

Investimet do të vijojnë edhe në projektet që janë pjesë e Korridorit VIII dhe Korridorit Blu. Në këtë kuadër, përfshihen projektet koncesionare Kashar-Rrogozhinë, Lekaj-Fier dhe Milot-Balldren. Punimet për aksin Kashar-Rrogozhinë pritet të nisin në fund të këtij viti, ndërsa për Lekaj-Fier dhe Milot-Balldren autoritetet janë pranë nënshkrimit të kontratave, që do t’i hapin rrugë përfundimit të projekteve të zbatimit dhe nisjes së punimeve.

Krahas tyre, buxheti i vitit 2027 do të mbështesë edhe projekte të reja, si hyrja veriore e Tiranës, e cila do të shmangë kalimin përmes Kamzës, rruga Berat-Skrapar dhe hyrja verilindore e kryeqytetit, që do të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë me Rrugën e Arbrit.

Paralelisht me këto investime, Autoriteti Rrugor Shqiptar po punon për finalizimin e projekteve të tjera, për të cilat do të shqyrtohet mundësia e financimit. Mes tyre janë rruga Koplik-Bogë-Theth, Rruga e Vjosës dhe aksi Rrëshen-Mirditë. Ministri Karakaçi theksoi se synimi është krijimi i një infrastrukture rrugore moderne, më të sigurt dhe të qëndrueshme, që lehtëson lëvizjen e qytetarëve, përmirëson lidhjet mes zonave të vendit dhe forcon integrimin e Shqipërisë në rrjetet evropiane të transportit.

Përmes këtij buxheti, qeveria synon të mbështesë jo vetëm investimet konkrete të vitit të ardhshëm, por edhe strategjinë afatgjatë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore.

/tvklan.al