Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi ka parë nga afër sot më 29 shtator projektin e Parkut Fotovoltaik në Ersekë.
Karakaçi shprehet se ky është një investim, që dëshmon zhvillimet në sektorin energjitik.
“Është një kënaqësi që ndodhem në Ersekë, ku është bërë një punë tepër e mirë. Është dëshmi edhe e të gjitha zhvillimeve energjitike të viteve të fundit. Para dy vitesh kemi vënë në funksion Erseka Solar 1. Sot është në punë edhe Erseka Solar 2, që ka një fuqi prej 20 mega. Është një investim prej 30 milionë euro. Këtu është edhe nënstacioni elektrik 110 kilovolt.
Energjinë që ju prodhoni nga Erseka Solar 2, që është 20 mega, ju e shisni në bursë. Dhe po më thoni se keni qenë shumë të kënaqur. Gjithë energjia duhet thënë se shitet në treg të lirë. Ju po thoni se Erseka Solar 2-shin e keni trajtuar në bursë dhe keni qenë tepër të kënaqur. Sistemi menaxhohet krejtësisht në mënyrë digjitale. Nëse ka problematika, gjithçka këtu del në kompjuter. Toka këtu ka qenë zallishte, është tokë që nuk prodhon asgjë dhe në këtë tokë gjëja më e mirë që mund të bësh është të prodhosh energji. Besoj se është i kënaqur edhe komuniteti, sepse janë punësuar 50-60 njerëz”, tha ministri Karakaçi.
Ministri bashkëbisedoi gjatë vizitës me një nga specialistët, që punojnë në Parkun Fotovoltaik në Ersekë. Ai deklaroi se ankandet e qeverisë kanë qenë shumë të besueshme.
“Unë jam marrë shumë me energjinë në kaq shumë vite dhe mund të them se ankandet e qeverisë shqiptare janë tepër të besueshme, shumë të mira për investitorët, por shumë të mira për ekonominë shqiptare, që përfiton energji me çmime shumë të ulëta nga tregu”, deklaroi eksperti.
Parku është ndërtuar falë Ministrisë së Energjisë dhe institucioneve shtetërore. Ai ka kushtuar 18 milionë euro dhe është vënë në funksionim brenda një kohe rekord. Në këtë zonë është implementuar teknologji inovative me panele bifaciale dhe struktura gjurmuese.
Qindra banorë lokalë janë punësuar dhe trajnuar aty, ndërsa Bashkia Kolonjë ka përfituar së paku 200 mijë euro në taksa lokale.












Botërori 2026 