Një arritje historike për muzikën elektronike!

Calvin Harris ka vendosur zyrtarisht një Rekord Botëror Guinness për pjesëmarrjen më të madhe të publikut në një solo DJ set, pas një performance madhështore të zhvilluar më 8 shkurt në São Paulo të Brazilit.

Rreth 1.6 milionë njerëz ndoqën nga afër shfaqjen e tij, duke e kthyer këtë ngjarje në grumbullimin më të madh të regjistruar ndonjëherë për një DJ.

Përmasat e këtij eventi ishin jashtëzakonisht mbresëlënëse. Harris performoi mbi një platformë lëvizëse karnavalesh që përshkonte bulevardin “Rua da Consolação” në qendër të qytetit. Kjo gjë e shndërroi njërën nga arteriet kryesore të São Paulo-s në një pistë gjigante kërcimi.

Gjatë setit të tij, DJ skocez solli disa nga hitet më të mëdha globale si “This Is What You Came For”, “One Kiss”, “I Need Your Love” dhe “We Found Love”.

Për t’iu përshtatur atmosferës vendase, Harris zgjodhi të vishte fanellën e kombëtares braziliane të futbollit me numrin “00” dhe me emrin “Calvinho” të stampuar në shpinë. Ky gjest, që ndërlidhi kulturën e futbollit dhe të karnavaleve braziliane, i dha ngjarjes një frymë plotësisht lokale dhe festoi rikthimin e tij në Brazil pas më shumë se një dekade.

Organizata e Rekordeve Botërore Guinness e konfirmoi zyrtarisht titullin bazuar në shifrat e pjesëmarrjes.

“Calvin Harris i ka dedikuar vite të tëra krijimit të muzikës që bashkon njerëzit, ndaj ta shohësh këtë rezultat në një shkallë të tillë është vërtet e jashtëzakonshme. Vlerësohet se 1.6 milionë njerëz morën pjesë në performancën e tij në São Paulo, kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një dëshmi e ndikimit global të muzikës së tij”, u shpreh Will Munford, gjyqtar zyrtar i Rekordeve Botërore Guinness.

Në një postim në rrjetet sociale, vetë Calvin Harris e përshkroi ditën e marrjes së çmimit si “vërtet të çmendur”, duke shtuar se diçka e tillë “mund të ndodhte vetëm në Brazil”.

/tvklan.al