Për herë të parë që nga momenti kur u pajis me pasaportë shqiptare, Elia Caprile ka thyer heshtjen.

Portieri italian e ka pranuar se mund të luajë për kuqezinjtë, në rast se kjo do të jetë e mundur dhe dikush nga Federata Shqiptare e Futbollit e kontakton atë. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, ai thotë se e ka marrë pasaportën përmes bashkëshortes së tij, Emili, e cila është me origjinë shqiptare.

“Nuk e di nëse nga kjo mund të hapet një dritare e re apo jo. Për momentin, askush nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk më ka kontaktuar. Nëse do ta bëjnë, atëherë unë do të bëj vlerësimet e mia.”

Caprile gjithashtu shprehu pakënaqësi që nuk u grumbullua nga Italia.

“Mendoj se jam në nivelin për të luajtur me kombëtaren italiane. Po e tregoj çdo ditë. Por duhet të përqendrohem thjesht te puna, sepse gjërat e tjera nuk varen nga unë. Nuk e prish gjumin.”

25-vjeçari është një nga portierët më të mirë të Serisë A këtë sezon, teksa pak javë më parë ishte në qendër të vëmendjes pikërisht për faktin që mori pasaportën shqiptare.

Për të foli edhe presidenti Duka në Klan News, i cili tha se mund të jetë një opsion në të ardhmen, por duhet leja nga FIFA për ndryshimin e kombëtares. Caprile ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me Italinë.

Tv Klan

/tvklan.al