Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zbuloi ekskluzivisht në Klan News, se portieri Elia Caprile, mund të luajë për Shqipërinë. Sipas tij, portieri italian ka marrë pasaportën, me objektivin për të luajtur për kuqezinjtë.

Në intervistën me gazetarin Besard Jacaj, kreu i futbollit shqiptar u ndal edhe te mungesa e Armando Brojës, duke thënë se nuk i është mbyllur dera e Kombëtares dhe pritet shumë në të ardhmen.

Duka foli gjithashtu edhe për Etrit Berishën, që u rikthye te kuqezinjtë me trajnerin Rolando Maran.

“Zgjedhjet e trajnerit janë subjektive, ai merr ata që mendon se është zgjedhja më e mirë. Ai mund të donte më shumë, por këto janë rregullat e futbollit. Broja është një futbollist me talent dhe ka shumë për të dhënë. Jam i bindur që do të jetë pjesë e Kombëtares dhe do të ketë minutat e veta. Të gjithë jemi me të njëjtin mendim që Broja është një nga më të talentuarit në histori të Kombëtares, por ende nuk e kemi marrë këtë talent. Dëmtimet nuk e kanë lënë që të jetë në formën e tij më të mirë. Jam i sigurt që do na ndihmojë në të ardhmen.

Etrit Berisha, në momentin që u thirr ishte gati. E rëndësishme është që e kemi në Kombëtare dhe do të marrim kontributin e tij në të ardhmen.

Caprile? Ka diçka të vërtetë. Ka marrë pasaportë, me objektivin për të qenë pjesë e Shqipërisë. Kjo është procedurë tani. Ka shumë kapacitet për Shqipërinë. Ka një lidhje me Shqipërinë. Nëse do e kemi në ekipin Kombëtar, do të jetë vlerë e shtuar”, tha Duka.

/tvklan.al