Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin deklaroi se Kampionatin Europian U-21 2027, i cili do të organizohet nga Shqipëria dhe Serbia, është shembulli më i mirë për të treguar se në futbollin evropian nuk ka kufij. Deklara e numrit 1 të institucionit të futbollit europian u bë në Kongresin e 49-të të UEFA-s, i cili po mbahet në Beograd.

“Futbolli është më shumë se një sport, është njëkohësisht pasqyrë dhe model i shoqërisë. Flet një gjuhë universale, që shkon përtej kufijve, bashkon komunitetet dhe frymëzon ëndrra. E ndaj ne i shikojmë finalet e Euro U-21 2027, që organizohet nga Shqipëria e Serbia së bashku, si një kujtesë e ndritur që nuk ka kufij realë në futbollin europian.”

Sipas Čeferin-it, vlerat thelbësore të futbollit evropian të unitetit, solidaritetit dhe punës në grup janë më të rëndësishme se kurrë në një botë gjithnjë e më të ndarë. Sa i përket fjalëve se UEFA është e përqendruar për të bërë para. Presidenti theksoi se ky institucion nuk është një makinë e pandjeshme, por një mrekulli e shpërndarjes së të ardhurave me ndërgjegje.

E kjo bëhet për të rishpërndarë të ardhurat në futbollin europian sipas tij. FSHF më herët është shprehur se ky event do të jetë më shumë sesa një turne futbolli, pasi do të shërbejë si nxitje për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Ballkanit.

Klan News