Në seancën e radhës për çështjen e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili është i pandehur në këtë proces, ka lexuar dëshmitë që ka marrë vetë nga personalitetet ushtarake të larta të huaja, gjatë periudhës kur ai ishte ministër.

“Siç ka qenë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon England, i cili ishte dakord të vinte. Por Prokuroria e ka refuzuar atë, e ka refuzuar edhe Gjykata, duke thënë se janë të parëndësishme, megjithëse ata kanë qenë njerëz që kanë mbështetur me ekipe dhe studime. Me dy ekipe amerikane që kanë qenë të instaluara në Ministrinë e Mbrojtjes, me mbi 20 veta në të gjitha nivelet politike dhe të shtabit, po ashtu edhe me komandën operacionale të NATO-s”, tha Mediu.

Gjatë seancës, që zgjati katër orë, Mediu kërkoi gjithashtu ekspertim teknik të kaligrafisë së shkresës së shënuar nga ish-sekretarja e Ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhe marrjen e dëshmisë së saj.

“Kërkuam që ose të hidhet poshtë, ose të bëhet akti i ekspertimit përsa i përket kaligrafisë, por edhe pretendimit të zotit Bumçi për sa i përket një mashtrimi që sipas tij është bërë nga ana e sekretares, pasi ky ka qenë shënim i Bumçit dhe njëkohësisht ai ka bërë kërkesën. Është e çuditshme që ata që kanë qenë dëshmitarë kyç, thirren dhe nuk vijnë”, shtoi Mediu.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 22 janar. Gjatë tragjedisë në Gërdec humbën jetën 26 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë.

Klan News

/tvklan.al