A është Donald Trump duke humbur gradualisht kontrollin mbi mendimet dhe deklaratat e tij, apo bëhet fjalë për një strategji të qëllimshme për të tërhequr vëmendjen?
Kjo është pikëpyetja që po ngrihet gjithnjë e më shumë në SHBA, pas një sërë episodesh të pazakonta të presidentit amerikan, veçanërisht gjatë fazës së fundit të fushatës zgjedhore dhe reagimeve pas humbjes në zgjedhjet e mesmandatit.
Sjellja e tij, e karakterizuar nga deklarata të çrregullta, fyerje, pretendime të pavërteta dhe komente të papritura, ka rikthyer debatin mbi gjendjen e tij mendore dhe aftësinë për të ushtruar detyrën.
“Nuk më intereson nëse njerëzit vuajnë”
Shqetësimi është shtuar pas deklaratave të Trump për rritjen e çmimeve të karburanteve. Gjatë tubimeve elektorale, ai minimizoi vështirësitë që po përjetojnë qytetarët nga shtrenjtimi i benzinës dhe naftës, duke u shprehur madje i kënaqur për rritjen e fitimeve të kompanive të naftës.
Kur iu vu në dukje se qytetarët po vuajnë nga këto çmime, përgjigjja e tij ishte se nuk i interesonte. Kjo deklaratë nuk u prit mirë as nga disa prej këshilltarëve të tij në Shtëpinë e Bardhë, të cilët e konsideruan një reagim të papërshtatshëm në një moment kur administrata duhej të përqendrohej te shqetësimet ekonomike të amerikanëve.
Fiksimi me pamjen fizike
Një tjetër episod që tërhoqi vëmendjen ndodhi në Ohio, ku Trump kishte shkuar për të mbështetur senatorin Jon Husted, i cili më vonë humbi përballë demokratit Sherrod Broun. Në vend që të përqendrohej te mesazhet politike, presidenti amerikan foli gjatë për pamjen fizike të Husted, duke vlerësuar të pasmet, shpatullat, duart dhe këmbët e tij, të cilat i cilësoi si tipare të një atleti të vërtetë.
Komente të ngjashme i përsëriti edhe në Kentucky dhe Karolinën e Veriut. Në Pensilvani, Trump shkoi edhe më tej, duke komentuar përmasat e organit gjenital të legjendës së golfit Arnold Palmer.
Punimet në Shtëpinë e Bardhë dhe projektet personale
Ndërkohë, në vend që të përqendrohej te rezultatet e administratës për frenimin e inflacionit, emigracionin e paligjshëm dhe sigurinë, Trump zgjodhi të promovonte restaurimin e Reflecting Pool, pishinës përballë Memorialit të Abraham Lincoln në Uashington.
Ai bëri edhe shaka për ndryshimin e emrit të tij, duke sugjeruar që të mbante emrin e vet. Vëmendja e presidentit te projektet e ndërtimit nuk është ndalur me kaq. Pas humbjes zgjedhore, ai është angazhuar në promovimin e disa projekteve arkitekturore në kryeqytet, përfshirë një hark triumfi dhe një sallë të madhe pritjesh në Shtëpinë e Bardhë. Ai ua ka treguar me krenari këto projekte gazetarëve, ndërsa sekretari i Brendshëm, Doug Burgum, i ka cilësuar si projekte, që po i dhurohen kryeqytetit amerikan.
Takimet me Putin dhe Xi Jinping
Përtej deklaratave dhe sjelljeve të pazakonta, shqetësimi lidhet edhe me pasojat që mund të ketë një president gjithnjë e më pak i parashikueshëm në politikën e jashtme. Në javët e ardhshme, Trump pritet të përballet me një agjendë të ngarkuar diplomatike, ku përfshihen takime me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping.
Një president që shpesh ka treguar afërsi me liderë autoritarë dhe që është kritikuar për qëndrimin ndaj Kremlinit mund të marrë vendime me pasoja për interesat amerikane. Paralelisht, Shtëpia e Bardhë ka pak kohë për të miratuar ligje dhe emërime përpara se Kongresi i ri, tashmë me shumicë demokrate, të nisë punën më 3 janar. Për këtë arsye, mungesa e disiplinës dhe përqendrimit të presidentit shihet si një problem edhe për funksionimin politik të administratës.
Analiza e 6,500 fjalimeve të Trump
Një analizë e publikuar nga NYT, e mbështetur edhe në përdorimin e inteligjencës artificiale për të shqyrtuar rreth 6,500 fjalime të Trump gjatë një dekade, ka evidentuar ndryshime në mënyrën e tij të të shprehurit.
Sipas analizës, përdorimi i fjalëve fyese është rritur ndjeshëm, nga rreth 6 në 15 raste për çdo 10 mijë fjalë, ndërsa devijimet nga tema dhe fjalitë e paqarta janë bërë pothuajse tri herë më të shpeshta. Megjithatë, këto tipare kanë qenë të pranishme edhe më herët në komunikimin e tij publik, duke e bërë të vështirë përcaktimin nëse bëhet fjalë për ndryshime të lidhura me moshën apo për stilin e tij të zakonshëm politik.
Shenjat që ngrenë pikëpyetje
Ajo që po tërheq vëmendjen e ekspertëve është shpeshtësia e deklaratave kontradiktore, përsëritja e të njëjtave argumente brenda një fjalimi, humbja e fillit të bisedës dhe kalimi i papritur nga një temë te tjetra. Këto sjellje kanë nxitur diskutime mbi mundësinë e një dobësimi të mekanizmave të vetëkontrollit dhe të aftësisë për të qëndruar i përqendruar.
Megjithatë, pa një vlerësim të drejtpërdrejtë mjekësor, nuk mund të nxirret një përfundim për praninë e demencës apo të ndonjë çrregullimi tjetër. Pyetja që mbetet është nëse Trump po përdor ende të njëjtën strategji komunikimi që e ka shoqëruar që nga viti 2015, apo nëse sjellja e tij po shfaq ndryshime që mund të ndikojnë në aftësinë për të drejtuar vendin.
Shkrim nga Francesco Bertolino, Corriere della Sera
/tvklan.al












Botërori 2026 
