Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me presion nga radhët e republikanëve për të ndryshuar kursin politik, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e mesmandatit, ku demokratët morën kontrollin e Kongresit dhe kandidatët e mbështetur prej tij pësuan humbje në disa gara të rëndësishme.
Aleatët dhe strategët republikanë i kanë kërkuar Trumpit të bëjë ndryshime në stafin e Shtëpisë së Bardhë, të rikthejë disiplinën në administratë dhe të heqë dorë nga disa politika që, sipas tyre, ndikuan në rezultatin zgjedhor. Mes tyre përmenden lufta në Iran dhe tarifat tregtare, ndërsa presidenca e Trump hyn në vitet e fundit të mandatit.
Strategu republikan John Feehery e cilësoi rezultatin zgjedhor një “katastrofë të madhe” për Trump.
“Ai duhet të bëjë një pastrim në administratë. Që nga ky moment, çdo ditë që kalon, ai po humbet gjithnjë e më shumë ndikimin”, deklaroi Feehery.
Megjithatë, Trump nuk ka dhënë shenja se e konsideron rezultatin zgjedhor si një arsye për të ndryshuar drejtimin e politikave të tij. Në një intervistë për Fox News, mbrëmjen e së martës, ai u shpreh: “Unë nuk e shoh këtë si një goditje ndaj meje”.
Fitorja e demokratëve u jep atyre mundësinë të bllokojnë projektligjet e Trumpit, të nisin hetime ndaj administratës së tij dhe të kundërshtojnë emërimet në poste të rëndësishme. Kjo pritet ta shtyjë presidentin amerikan të mbështetet edhe më shumë te kompetencat ekzekutive për të zbatuar politikat e tij, pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit.
Trump do të duhet gjithashtu të vendosë nëse do të vijojë me të njëjtin program politik, për të cilin disa republikanë kanë shprehur shqetësimin se është kthyer në një pengesë politike, veçanërisht për ata që synojnë të garojnë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.
Edhe zëvendëspresidenti JD Vance, i konsideruar si pasuesi i mundshëm politik i Trumpit, duket se ka nisur të distancohet nga presidenti. Të mërkurën, ai fajësoi luftën në Iran për humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit. Sipas strategëve dhe zyrtarëve të partisë, distancime të tilla mund të bëhen më të shpeshta nëse republikanët arrijnë në përfundimin se ndikimi i Trumpit te votuesit e partisë po dobësohet.
Ndërkohë, brenda Shtëpisë së Bardhë, drejtuesit e lartë po përgatiten për largime të mundshme nga stafi, ndryshime në kabinetin qeveritar dhe hetime nga demokratët. Kështu bëri të ditur një zyrtar i lartë i administratës, i cili foli në kushte anonimiteti.
“Është vërtet e tmerrshme të jesh këtu në këtë moment. Morali është në nivelin më të ulët të mundshëm”, tha zyrtari.
Ai zbuloi se sondazhet e brendshme kishin paralajmëruar që gjashtë javë përpara zgjedhjeve se republikanët rrezikonin të humbnin kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit. Megjithatë, sipas tij, Trump refuzoi të ndryshonte qëndrimin për luftën në Iran, pavarësisht paralajmërimeve për pasojat politike.
“Në fund të fundit, atij thjesht nuk i interesonte. Ai refuzoi të dëgjonte këdo”, deklaroi zyrtari.
Trump pranoi mbrëmjen e së martës se lufta tetëmuajshe në Iran kishte ndikuar te kandidatët republikanë, por mbrojti vendimin e tij për nisjen e konfliktit.
Shqetësimet e republikanëve nuk lidhen vetëm me luftën. Sipas një këshilltari politik të partisë, gjatë verës, sondazhet dhe grupet e diskutimit të zhvilluara në kuadër të garave të rëndësishme për Senatin, në shtete si Miçigani dhe Ajova, treguan se gjithnjë e më shumë votues republikanë dhe të pavarur kundërshtonin përqendrimin e Trumpit te ndërtimi i sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë dhe rikonstruksionet në Uashington.
“Nëse Trump kalon dy vitet e ardhshme duke folur për të njëjtat gjëra, do të pësojmë sërish një humbje dërrmuese në zgjedhjet e ardhshme”, paralajmëroi këshilltari.
Pavarësisht kritikave, Trump u shfaq të mërkurën para gazetarëve në kantierin e ndërtimit të sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë, ku mbrojti kohën që i ka kushtuar këtij projekti.
“Për mua është çlodhëse”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë reagoi me një mesazh sfidues në rrjetet sociale, duke publikuar një fotografi të Trumpit me mbishkrimin: “NJOFTIM: TRUMP ËSHTË ENDE PRESIDENTI JUAJ”.
Pavarësisht humbjes, Trump vijon të ketë kompetenca të konsiderueshme. Shtëpia e Bardhë ka përgatitur prej muajsh një sërë masash ekzekutive për emigracionin, tarifat tregtare, strehimin dhe shpenzimet federale, të cilat mund t’i lejojnë presidentit të zbatojë një pjesë të programit të tij edhe përballë kundërshtimit të demokratëve.
Megjithatë, përdorimi i kompetencave ekzekutive nuk mund ta mbrojë administratën nga hetimet e Kongresit.
“Askush nuk dëshiron të përballet me hetimet”, tha zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
