Al Hilal nuk ka ndërmend të ndalet në merkato. Ndonëse në përbërje kanë emra si Neymar, Milinkovic-Savic, Mitrovic, Malcom, Ruben Neves, Renan Lodi, Yassine Bounou dhe së fundmi João Cancelo, klubi nga Arabia Saudite, po përgatit një tjetër afrim të bujshëm.

Bëhet fjalë për sulmuesin francez, Kingsley Coman. Të martën, Al Hilal, arriti një marrëveshje me Bayern Munich dhe por pret vendimin e futbollistit.

“L’Equipe” raporton se Coman ka vendosur të pranojë ofertën e marrë nga arabët, për tu transferuar aty. Marrëveshja nuk është përfunduar ende, por kanë mbetur edhe detaje të vogla për tu zgjidhur.

Te Bayern Munich, duan të shpëtojnë nga paga prej 17 milionë eurosh në sezon dhe për këtë arsye, i kanë hapur rrugën largimit të sulmuesit.

Coman, i cili u transferua te Bayern në vitin 2015, ka bërë 296 paraqitje për bavarezët, duke shënuar 64 gola. Ai ka fituar shumë trofe në Gjermani, duke përfshirë tetë tituj të Bundesligës dhe Ligën e Kampionëve. /tvklan.al