Egnatia rikthehet në “Arenën Kombëtare” me objektivin për të marrë fitoren e parë në fazën e grupeve të UEFA Conference League, teksa përballë do të ketë skuadrën nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps.
Sfida e kësaj të enjte është mjaft e rëndësishme për të dyja ekipet, që synojnë të përmirësojnë pozitat në garën për kualifikim.
Kampionët e Shqipërisë e nisën aventurën europiane me dy barazime radhazi, por në javën e tretë pësuan humbjen 2-0 ndaj Universitatea Craiova.
Pavarësisht rezultateve në Europë, Egnatia mund të mbështetet te forma e mirë në shtëpi.
Rrogozhinasit janë të pamposhtur në fushën e saj që prej muajit prill, me 10 fitore dhe 3 barazime në këtë periudhë. Megjithatë, të tria barazimet janë regjistruar pikërisht në kompeticionet europiane.
Në krahun tjetër, Lincoln Red Imps vjen në Shqipëri pas një fitoreje të rëndësishme 1-0 ndaj Hajduk Split. Skuadra nga Gjibraltari ka fituar pesë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet dhe aktualisht ka një pikë më shumë se Egnatia në renditje.
Megjithatë, transfertat europiane mbeten një pikë e dobët për Lincoln, që këtë sezon ka regjistruar vetëm një fitore në pesë ndeshje jashtë fushe, krahas një barazimi dhe tri humbjeve.
Kjo do të jetë përballja e parë në historinë e kompeticioneve europiane mes një skuadre shqiptare dhe një ekipi nga Gjibraltari.
Në aspektin individual, Egnatia do të kërkojë kontributin e Alessandro Albanese, ndërsa mbetet për tu parë gjendja fizike e Ildi Grudës.
Rrogozhinasit synojnë të shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe të marrin tre pikët e para në këtë edicion europian, për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
