Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula, gjatë ditës së sotme më 22 prill ka zhvilluar një takim me kryeinspektorë të Qarkut të Korçës.

Sula iu përgjigj një sërë pyetjesh nga ana e gazetarëve. U pyet për produktet e skaduara dhe të falsifikuara në tregje, si dhe masat e marra.

“Nëse do të kishit mundësinë që këtë informacion që keni ju, duhet ta adresoni në platformë dhe ne reagojmë menjëherë. Ditën e nesërme, ne si Inspektoriat i Përgjithshëm, në disa subjekte të padeklaruara dhe të painformuara nga inspektoriatet e zonës këtu, do të shkojmë bashkë me ta për inspektim. Kemi përzgjedhur edhe supermarkete, edhe linja prodhimi, për të kryer një inspektim të befasishëm, urgjent dhe të rrufeshëm, për të parë nëse ka shkelje apo jo”.

U pyet gjithashtu nëse garantohet siguria ushqimore me fushata inspektimi, kur shumica e inspektoriateve janë thuajse fiktive, jashtë funksionit.

“Jo, nuk janë jashtë funksionit. Ka problematika, pa diskutim. Unë kam ditën e 69-të në krye të Inspektoriatit dhe ju bëj me dije se, ndoshta një nga vendimet e marra para dy ditësh nga Inspektoriati i Përgjithshëm për rastin e Shkodrës, ka qenë marrja e 15 masave disiplinore, ku 10 prej tyre janë shkarkime nga detyra të inspektorëve, për shkak të hyrjes së misrit me aflatoksinë B1, i cili është i dëmshëm edhe për kafshët. Unë i kam vendosur dhe për çdo rast sinjalizimi ne do t’i ndëshkojmë. Çdo masë administrative që ankimohet nga subjekti ka dy rrugë: ose rri në fuqi masa e vendosur nga inspektimi, ose kjo masë shfuqizohet, por me një kusht, në rast padrejtësie, fillon masë administrative për inspektorin”.

U përgjigj edhe për zinxhirin e inspektorateve, që duhet të kontrollojnë punësimin e paligjshëm.

“Inspektoriati i Punës është fusha që mbulon këtë çështje që ju ngrini me të drejtë. Nuk pretendoj që shkeljet nuk ekzistojnë. Edhe sikur një biznes të ketë 5 punëtorë dhe një prej tyre të jetë i pasiguruar, është në shkelje të ligjit dhe nuk garanton sigurinë e punonjësit, i cili mund të ketë një incident gjatë punës dhe nuk përfiton nga e drejta që i takon. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim për të bërë inspektime çdo ditë. Mund të them që do të kemi vështirësi për 6-7-8 muaj maksimumi, pasi jemi duke përgatitur edhe sistemin e digjitalizimit për të gjitha fushat e inspektimit, që do të thotë se sistemi do të përzgjedhë subjektin në bazë të indikatorëve të riskut. Ju garantoj që inspektimi do të pasurohet me të dhëna të reja dhe do të bëhet e mundur që edhe inspektori të monitorohet përmes një GPS-i që mat lëvizjet e tij”.

Foli dhe për tregjet e ushqimeve, ku specialistët ngrenë alarm për helmimin e qytetarëve. Sula u shpreh se gjurmueshmëria e produkteve është tepër me rëndësi.

“Shumë e drejtë. Besoj që e keni ndjekur këto dy muaj që znj. Gjylameti është në krye të AKU-së dhe unë si kryeinspektor i përgjithshëm kemi filluar një valë inspektimesh që po jep rezultate. Javën e kaluar në Shkodër u bë e mundur bllokimi i 110 kuintalëve. Unë përsëri apeloj: ka të bëjë shumë me kulturën qytetare, pra ndjekjen dhe vigjilencën e tyre për të sinjalizuar inspektoriatin. Është shumë e rëndësishme gjurmueshmëria dhe për këtë arsye po përgatiten sisteme që do të ndjekin gjurmueshmërinë e produkteve, sepse nga 5 produkte në Shqipëri, 3 ose 4 janë nga importi, me hyrje në pikat doganore të Kapshticës, Qafë Thanës dhe pika të tjera. Me anë të gjurmueshmërisë do të dihet si ka hyrë, çfarë certifikate sigurie ka dhe afati kohor.”

Në fund, komentoi dhe për pallatin e djegur në Tiranë dhe hetimet. Tha se Insopektorati i Përgjithshëm i ka vënë në dispozicion Prokurorisë të gjitha gjetjet për rastin.

“Unë kam nxjerrë tre urdhra: një urdhër urgjent ditën që ndodhi ngjarja, ku IKMT dhe Inspektoriati Shtetëror Industrial, i cili mbikëqyr enët e gazit, bombolat, enët në presion dhe energjinë elektrike, janë angazhuar. Jemi në bashkëpunim të ngushtë edhe me Prokurorinë e Tiranës dhe i kemi vënë në dispozicion të gjitha gjetjet tona. Ditën e djeshme u certifikuan 5 ashensorë në pallate të tjera dhe u bë e mundur të viheshin në funksion, por ju garantoj një përgjigje zyrtare shumë shpejt. Kam firmosur edhe dy urdhra të tjerë për Inspektoriatin Shtetëror Industrial: një urdhër i rëndësishëm për kontroll të imtësishëm nëse në këto ambiente ka enë me presion që rrezikojnë jetën e qytetarëve apo subjekte që mund të përdorin bombola gazi me fuqi të madhe. Një tjetër urdhër i rëndësishëm për IKMT lidhet me metodologjinë që do të ndiqet për pallatet e reja, të cilat janë ndërtuar apo janë në ndërtim, për materialet që përdoren, të cilat duhet të jenë të certifikuara, të kenë hyrë nga pikat doganore dhe të jenë të kontrollueshme. Ata pronarë pallatesh që kanë marrë leje ndërtimi dhe nuk përfundojnë të gjitha punimet vetë, por i delegojnë tek nënkontraktorë të paidentifikuar dhe pa përgjegjësi, ndërkohë që aktin e kolaudimit e firmos vetëm pronari i lejes ,kjo është një praktikë që mund të sjellë abuzime për uljen e kostove”.

/tvklan.al