21 shtator 2026 – Presidenti amerikan Donald Trump ka dalë në mbrojtje të djalit të tij, Donald Trump Jr., pas polemikave lidhur me financimin e martesës së tij nga miliarderi rus Umar Kremlev, i afërt me Kremlinin.

Sipas një investigimi të publikuar nga media amerikane “ProPublica”, Kremlev dyshohet se ka paguar qindra mijëra dollarë për disa nga shpenzimet e ceremonisë së martesës, e cila u zhvillua më 23 maj 2026 në një ishull privat në Bahamas.

Mes shpenzimeve ishin qiraja e ishullit, që mund të kushtonte deri në 100 mijë dollarë në natë, fishekzjarret me vlerë rreth 70 mijë dollarë, si dhe shërbime logjistike nga ekipi i biznesmenit rus.

I pyetur nga një gazetar i AFP-së nëse ishte e përshtatshme që djali i tij të pranonte një dhuratë të tillë, Trump tha se, sipas dijenisë së tij, Donald Trump Jr. e kishte rimbursuar Kremlevin.

“Kur mora vesh për këtë çështje, kërkova shpjegime dhe ai më tha: ‘Jo, po e rimbursoj, baba’”, tha Trump, duke shtuar se pranimi i një dhurate të tillë ishte i ligjshëm.

Donald Trump Jr. nuk e ka mohuar se ka marrë paratë dhe e ka përshkruar Kremlevin si një mik personal.

Sipas tij, të dy janë njohur përmes interesit të përbashkët për gjuetinë dhe boksin. Edhe zyra e biznesmenit rus ka konfirmuar miqësinë mes tyre.

Lidhjet mes familjes Trump dhe Rusisë kanë qenë prej vitesh objekt debatesh dhe pikëpyetjesh. Në këtë rast, financimi i pretenduar i një pjese të martesës nga një biznesmen rus i afërt me Kremlinin ka rikthyer vëmendjen te marrëdhëniet mes familjes Trump dhe Rusisë.