Shumë zhurmë për asgjë! Ky ishte rasti tipik i kësaj fundjave, ku të gjithë prisnin një dasmë VIP, madje një nga ato që do të bënte xhiron e botës: kurorëzimin në martesë të Cristiano Ronaldos me Georgina Rodriguez, në Katedralen e Funchalit, në Madeira të Portugalisë.
Por… jo! Të gjitha raportimet ishin të gabuara.
Në katedralen e famshme nuk po pritej një nga çiftet më të famshme të planetit. Nuk kishte Ronaldo, nuk kishte Georgina dhe, mbi të gjitha, nuk kishte dasmën madhështore që fansat prisnin të shihnin.
Por dasmë kishte!
Dy persona jopublikë kishin zgjedhur pikërisht këtë katedrale për të thënë “po”-në e tyre, pa e imagjinuar ndoshta kurrë se do të kishin qindra të ftuar… që në fakt nuk i kishin ftuar fare!
Sepse jashtë katedrales ishin mbledhur fansa të Cristiano Ronaldos, të bindur se po përgatiteshin të shihnin nga afër një prej momenteve më të bujshme të jetës së yllit portugez.
Telefonat ishin në duar, kamerat gati dhe sytë të drejtuar nga dera e katedrales.
Dhe më në fund… del nusja!
Në atë moment, qindra telefona u ngritën njëherësh në ajër. Vetëm se… kishte një problem të vogël.
Nusja nuk ishte Georgina!
Dhe dhëndri nuk ishte Cristiano Ronaldo!
Një dasmë krejt e zakonshme u kthye kështu, pa dashje, në një spektakël për qindra fansa të Ronaldos, të cilët për disa minuta besuan se po përjetonin “dasmën e vitit”.
Në fund, videot u bënë, telefonat u ulën dhe pritshmëritë u kthyen në zhgënjim. Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez nuk u martuan në Madeira këtë fundjavë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
