Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës nga foltorja e parlamentit që të bashkëpunojmë me mazhorancën për ecurinë e mëtejshme të reformave në vend, në përmbushje të aspiratës evropiane të shqiptarëve.
Duke u ndalur tek vendimi i Brukselit për liberalizimin e vizave, shefi i qeverisë i kërkoi opozitës që të mos vendosi parim të saj opozitar antiberishizmin, për të dëmtuar ëndrrën evropiane të shqiptarëve.
Sali Berisha: “Ju bëj thirrje sot të shfrytëzojmë këtë parlament që të shtyjmë sa më përpara procesin e integrimit të BE-së. Ju adaptuat qëndrime të cilat unë i respektova plotësisht dhe ju garantoj që do të respektoj çdo qëndrim dhe vendim tuajin, sepse në themel në hierarkinë e vlerave, ajo është më e detyrueshmja për mua, por ama mos harroni se në një kohën kur u adaptuan të gjitha këto qëndrime, u morën dhe vendimet më të rëndësishme historike për Shqipërinë. Mos vendosni si parim të veprimtarisë suaj vetëm antiberishizmin, mbajeni në krah nuk them, se ne jemi kundërshtar, por duke e bërë totalitar këtë qëndrim absolutisht u kthehet në bumerang dhe nuk ju shërben”.
Në emër të grupit kuvendor të socialistëve deputeti Gramoz Ruçi, ndërsa shprehu vullnetin e opozitës për të qenë pjesë e proceseve integruese të Shqipërisë, i kujtoi Shefit të Qeverisë dy kushte, që sikundër tha, duhet të përmbushen në emër të kësaj ëndrre evropiane, atë të liberalizmit të vizave.
Gramoz Ruçi: “Që të mos vritet kjo ëndërr duhet të plotësoni ju dy kushte. Kushti i parë të plotësoni ato detyra shtëpie më së miri që u kërkon Brukseli dhe kushti i dytë të zhbllokoni lidhjet e krizës politike. Pa këto dy kushte ju jeni fajtori për vrasjen e kësaj ëndrre të bukur të shqiptarëve. Nuk ka as të djathtë sot në Shqipëri që të mos besojnë te masakra elektorale e 28 qershorit. Në qoftë se ju i besoni asaj që thoni, i hapni dritën jeshile asaj që opozita u ka kërkuar këtu e 10 muaj rresht Komisionit Hetimor”.
Ndërkaq Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu kundërshtoi deklaratat e opozitës, duke thënë se kancelaritë perëndimore nuk e shohin procesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë me BE-në të lidhur ngushtësisht me situatën politike në vend.
Majlinda Bregu: “Fatkeqësisht ju edhe sot jeni të prirur të shtrembëroni deklaratat e ndërkombëtarëve, edhe sot jeni të prirur që t’ju ofroni qytetarëve shqiptar pikërisht atë të cilën nuk është artikuluar asnjëherë. Nuk është artikuluar as gjatë një viti, as dje në Samitin e Sarajevës, as nga komisioineri Fyle i cili ka ndarë çështjen e liberalizimit të vizave me çështjen e kutisë së Edi Ramës dhe duhet të jeni të bindur të nderuar kolegë opozitar që gjithë Evropa nuk e ka mendjen te kutia e Edi Ramës, pra nuk kanë hall vetëm kutinë e Z.Rama”.
Por mazhoranca dhe opozita kanë debatuar dhe në kuvend lidhur dhe me vendimin e një dite më parë të Këshillit të Ministrave për të shpallur monument kulture Muzeun e Konferencës së Pezës, që do të kalojë në administrim të Ministrisë së Kulturës.
Sali Berisha: “Po e kthej në muze shtëpinë, duke njohur vlerat dhe veprën e saj. Po jepja fundit një spirali të pandershëm, në vend që të falënderonit për vlerësimin që po bëja. Nuk është vendim qesharak shpallja e muzeut të shtëpisë në të cilën u themelua fondi pluralist antifashist shqiptar. Ajo shndrin dhe do shndrijë si margaritar në historinë e kombit shqiptar. Për ju s’ka rëndësi kjo, ka rëndësi destinacioni tjetër. E keni kundra meje këtë more zotëri, por mos ngatërroni Pezën me mua, lëreni se Peza është trashëgimi historike e shqiptarëve dhe do mbetet muze ajo”.
Gramoz Ruçi: “E vërtetë po me Pezën ç’pati? Pronarit të vërtetë të asaj shtëpie i ke nxjerr eshtrat nga varri, sot të birit i kërkon shtëpinë dhe kërkon ta vlerësosh, s’ka gjë më mirë vonë se kurrë ta vlerësosh atë edhe si figurë edhe Konferencës e Pezës, por në asnjë mënyrë të mos përdoren ato që u përdorën dije për të hequr vëmendjen e opinionit politik nga hallet dhe problemet e vërteta të këtij vendi. E pra me demagogjira dhe me provokimet kësaj natyre, asnjë kanal ujërash jo më një lum apo një det që na ndan lidhur me vizionin dhe me pikëpamjet respektive të palëve këtu në parlament./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro
/tvklan.al












Botërori 2026 