Punimet parlamentare të sesionit të ri ka nisur me premtimet e mazhorancës dhe opozitës për bashkëpunim për realizimin e reformave.

Kryeparlamentarja Topalli në fjalën përshëndetëse drejtuar deputetëve ftoi të gjitha palët që të japin kontributin e tyre për të përmbyllur reformat e rëndësishme që do të përbëjnë thelbin e punës së këtij sesioni kuvendor.

Opozita nga ana e saj theksoi nevojën e mbylljes sa më të shpejtë të reformës zgjedhore, por palët janë ndarë përsa i përket miratimit të ligjit për prokurorinë.

Valentina Leskaj: “Për të gjithë ata që çuditërisht nuk e kanë marrë vesh akoma dua të theksoj dhe një herë se asnjë ligj për prokurorinë që nuk rrit dhe nuk forcon efektivitetin dhe pavarësinë e këtij institucioni nuk do të votohet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.”

Astrit Patozi: “Është ngritur një stuhi apo më mirë të them uragan meqë jemi në stinën e tyre për ligjin e ri të prokurorisë, ndërkohë jo vetëm nuk ka mbërritur ende në kuvend, por vijon të jetë në proces draftimi dhe nuk ka kaluar as në Këshillin e Ministrave.”

Një tjetër pikë ndarje mes opozitës dhe mazhorancës në këtë sesion duket se do të jetë edhe ligji për hapjen e dosjeve ku mazhoranca e ka quajtur si absurd propozimin e socialistëve për të krijuar një komision ad hoc.

Astrit Patozi: “Nga deklarimi se jemi të gatshëm të shqyrtojmë dhe votojmë ligjin në rikthimin e tij në pikën e nisjes përmes një komisioni hibrid flet për mungesë koherence në rastin më të mirë apo për arsye të nëndheshme në rastin më të keq që detyrojnë opozitën të mos jetë e lirë në vendimmarrje.”

Punimet në seancën e parë të sesionit vijuan me miratimin e disa projektligjeve të përfshira në rendin e ditës./tvklan.al