Nisja e dëgjesave publike për reformën territoriale ka nxjerrë në pah që jo vetëm opozita, por dhe vetë kryebashkiakët socialistë janë të pakënaqur me atë që solli reforma e 2015.

Kryebashkiaku i Lezhës në takimin e të mërkurës u ankua se disa kompetenca iu janë marrë bashkive nga pushteti qendror.

I pyetur për këto kritika, ministri për pushtetin vendor thotë se nevoja për të nisur këtë reformë erdhi pikërisht për të riparë kompetencat dhe për të forcuar institucionet lokale. Megjithatë, nisur nga eksperienca personale në krye të bashkisë së Beratit, Demo e bën të qartë se qeveria nuk është aty për të plotësuar çdo kërkesë të pushtetit lokal.

“Kuptohet që qeveria qendrore nuk do të bjerë gjithnjë dakord me bashkitë. Ajo që duhet të garantojmë është që bashkitë duhet, me ato çfarë kanë, kompetenca të deleguara apo që burojnë nga ligji, të jenë më të forta dhe të ofrojnë shërbime më të mira në territor. Besoj që do të dëgjojmë shumë kryetarë dhe aktorë të tjerë në territor që mund të kenë qëndrime të ndryshme për reformën apo elementët.”

Ministri Demo, që foli pas mbledhjes së qeverisë, lajmëroi se janë miratuar zonat prioritare ku mund të bëhen investimet përmes projektit të Paketës së Maleve për 4 bashki të reja, duke e çuar në 40 numrin aktual të bashkive që i kanë dorëzuar hartat e pronave ku do të lejohen ndërtimet.

/tvklan.al