Dy ministra të qeverisë, ai i Pushtetit Vendor Ervin Demo dhe i Kulturës Blendi Gonxhja, me anë të një deklarate për mediet sot në 24 prill komunikuan vendimet e qeverisë.
I pari që mori fjalën ishte ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo. Ministri tha se katër bashki të tjera në vend kanë mirastuar zonat prioritare për Paketën e Maleve.
“Janë katër bashki të tjera, që kanë miratuar zonat prioritare. Tashmë shkon në 40 numri i bashkive me zona prioritare. Paketa e Maleve vazhdon që të ketë interes të shtuar sa i përket aplikantëve në të gjithë territorin. Një pjesë e mirë e bashkive do të vazhdojë me miratimet në Këshillat Bashkiakë. Ky proces do të vazhdojë. Vetë bashkitë tashmë janë duke konstatuar një interes të shtuar nga banorët e zonave përkatëse, por edhe nga shqiptarët që kanë lidhje me zona të caktuara në vend, por jetojnë jashtë shtetit”, u shpreh Demo.
Foli për reformën territoriale. Ai tha se për këtë reformë, duhet të dëgjohen sa më shumë palë. Demo deklaroi se duhet të flasin sidomos ata, që kanë parë se çfarë efektesh ka pasur reforma që u bë më 2015.
“Debati duhet të shkojë përtej faktit se a duhen kaq bashki apo aq, por duhet foklusi tek funksionet që duhet të ketë bashkia. Ajo që është e rëndësishme, është që bashkitë të jenë më të forta dhe të ofrojnë shërbime më të mira në territor. Deri në fund të majit përmbyllet turi, për të dëgjuar të gjithë aktorët në këtë proces”, tha Demo.
Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja u shpreh se sot është vendosur që të shpërblehen sportistët profesionistë.
“Do të rrisim mbështetjen për sportistët profesionistë. Mbështetja në ditë do të shkojë në 5 mijë lekë. Garantojmë një skemë më të drejtë, për të pasur një promovim të iomazhit të Shqipërisë dhe për të promovuar gjithmonë e më shumë sportistë, që të luftojnë për rezultate sa më të larta. Kemi dyfishim të shpërblimeve për lojërat olimpike dhe kampionatet botërore. Ka përmirësim të ndjeshëm në ndihmë, në paketën e mbështetjes, që e kemi përcaktuar bashkë me Ministrinë e Financave. Në Tiranë do të kemi evente kulturore fantastike, që do t’i japin gjallëri qytetit”, tha Gonxhja.
Foli dhe për turizmin, duke thënë se qeveria e ka prioritet dhe se do të ketë kujdes maksimal. “Po kujdesemi për trajtimin e mbetjeve, që janë në shtim, për shkak të numrit të lartë të turistëve që ne presim. Ne po punojmë ngushtë dhe me autoritetet vendore, që të kemi një mjedis sa më të pastër gjatë sezonit turistik veror”, deklaroi ministri.












Botërori 2026 
