Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas debateve shumë të ashpra për bllokimin e komisionit anti-Rama, parlamenti ka njohur pasdite zhvillime të papritura. Qëndrimi i kryeparlamentarit Pëllumbi në mbrojtje të deputetëve demokratë, ka nxehur disa socialistë dhe këtë nuk është përpjekur ta fsheh edhe kryetari i grupit të mazhoranceës Gramoz Ruçi.

Gramoz Ruçi:- “Në emër të grupit të mazhorancës, ju kërkojë juve si kryetar për herë të fundit dhe s’merrem më me këtë çështje, ju lutem shumë, të përmbushni detyrimet tuaja që iu ngarkon rregullorja e Parlamentit Shqiptar”.

Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar të PD Bamir Topi, ka deklaruar se shumë shpejt opozita do të zyrtarizojë në Kuvend, kërkesën për shkarkimin e kryeministrit Fatos Nano. Më herët demokratët kishin bërë të qartë, se ndaj Nanos nuk do të kishte asnjë mocion, derisa të ishin të sigurta votat në parlament.

Bamir Topi:- “Kini parasysh, opozita e sotme do të jetë pozita e nesërme, për këtë të jeni të bindur”.

Dhe nuk kanë përfunduar këtu surprizat. Përveç kësaj, mes liderit të opozitës Sali Berisha dhe deputetit socialist Spartak Braho, kanë vazhduar akuzat e ndërsjella që kanë arritur deri aty, sa të detyrojnë zotin Braho të kërkojë votëbesimin e parlamentit, si kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço