Seanca paraprake e kësaj të hëne në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 17 të pandehurve të tjerë u shoqërua me debate në lidhje me kohën që GJKKO duhet t’i jepte avokates së caktuar nga shteti për të përgatitur mbrojtjen e tij ndaj akuzave të SPAK.
Avokatja Valentina Teodoresku kërkoi kohë dhe mundësinë që të takohej në paraburgim me Veliajn, në mënyrë që të përgatitej. Edhe pse fillimisht gjyqtarja Etleva Deda e rrëzoi këtë kërkesë, në përfundim të seancës e revokoi vendimin e saj dhe i la kohë asaj deri më 2 shkurt.
Për mediat, avokati i kryebashkiakut, Artan Gjermeni, mohoi që qëndrimi i tyre të kishte si arsye zvarritjen e procesit.
“I pandehuri duhet të njihet personalisht me aktet në dosje, ose fizikisht me letër të printuar, ose me akt elektronik. Asnjë nga këto mundësi nuk mundësohet, për shkak se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk e mundëson këtë pa një urdhërim të organit përkatës”.
Sipas Gjermenit, përballë kohës prevalon procedura e rregullt e një procesi gjyqësor, ndaj nuk ka rëndësi sa zgjat kjo fazë paraprake.
“Procesi i rregullt dhe ligjor prevalon përballë çdo afati tjetër. Nuk ka vlerë të cenohet procesi i rregullt mbi afatet fikse dhe procedurale, siç është edhe ai njëmujor”.
SPAK kërkon përballë Gjykatës së Posaçme gjykimin e Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, për disa akuza, më të rëndat ato të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Kryebashkiaku dhe Xoxa i kanë mohuar ato në qëndrime të mëparshme të tyre.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 