Debati për buxhetin e Bashkisë së Tiranës është transferuar dhe në sallën e kuvendit. Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Astrit Patozi, i cili nxiti debatin parlamentar mbi këtë çështje, tha se buxheti i Tiranës përbën një ndjeshmëri kombëtare. Ai tha se 1/3 e qytetarëve të vendit kanë mbetur pa buxhet dhe si fajtor për situatën e krijuar, Patozi identifikoj kryetarin e bashkisë Edi Rama, njëkohësisht kryetari i partisë më të madhe në opozitë.

Astrit Patozi: “Në konceptim stalinist, që kryetari i opozitës ka për votën dhe ne që po kërkojmë të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejt zgjedhjeve me standarde, duam ta shikojmë atë si një kërcënim për këto standarde. Është një votë që po kërkohet me blerje dhe me shantazh, e dimë dhe dilemën e tij hamletjane të mos e le bashkinë apo ta lej bashkinë, ta vej emrin në listë apo të mos e vej emrin në listë. Por sigurisht që pas 28 qershorit nuk do të ketë më dilema për Edi Ramën”.

Si përgjigje ndaj këtij deklarimi, Kryetarja e Grupit Kuvendor socialist Valentina Leskaj, tha se buxheti i Tiranës është i qytetarëve e për këtë arsye, ajo kërkoi reflektim të mazhorancës.

Valentina Leskaj: “Nuk është buxheti i kryetarit, nuk është buxheti i këshilltarëve, është buxheti i qytetarëve të Tiranës. Unë prisja që juve të kërkoni falje për sjelljen e pa denjë dhe të gëzoheshit për buxhetin e qytetarëve të Tiranës. Të gjitha të tjerat s’kanë asnjë vlerë, të jeni të sigurt që përgjigjen do t’ua japin shqiptarët në qershor”.

Në debat u përfshi dhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, në një reagim të shkurtër të saj Topalli u ndal pikërisht në mënyrën që zgjodhi kryetari i bashkisë Rama për të numëruar kartonet në momentin e votimit të buxhetit. Topalli e konsiderojë veprimin e Ramës të pa ligjshëm dhe stalinist.

Jozefina Topalli: “Ajo sjellje që ka ndodh atë ditë, është një turp i madh, është nocioni që kryetari i bashkisë ka për votën. Ju lutem këshillojeni, mësojeni, në qoftë se ai do vijë në parlament do shofi se si do votohet buxheti i pestë i PD dhe sesi numërohen votat. S’ka unë votoj dhe unë numëroj”.

Buxheti i Tiranës, është shndërruar në pikën më të nxehtë të debatit politik. Jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe brenda kësaj të fundit për shkak të përplasjes mes PS-së dhe LSI-së. Krahas diskutimit të përmbajtjes së buxhetit, përplasje të fortë shkaktojë dhe procesi i votimit ditën e martë në mbrëmje, numërimi i votave nga kryetari Rama vuri në dyshim ligjshmërinë e procesit të votimit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Petrit Xhaferri