03 shtator 2026- Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) i është përgjigjur Ministrisë së Financave në lidhje me debatin e krijuar për pagat e muajit gusht.

Ministria e Financave më herët u shpreh se pagat e magjistratëve për muajin gusht nuk mund të ekzekutohen me formulën e re të kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët, pa u miratuar më parë ndryshimet ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë.

KLGJ thekson se listëpagesat e muajit gusht janë përgatitur dhe dorëzuar pranë degëve përkatëse të Thesarit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, buxhetin e miratuar dhe planin e thesarit për vitin 2026.

Më tej, KLGJ sqaron se në disa gjykata, përfshirë Durrësin, Fierin dhe Gjirokastrën, listëpagesat dhe urdhërshpenzimet janë verifikuar dhe miratuar nga strukturat përgjegjëse të Thesarit, por pagesat më pas kanë mbetur të bllokuara në bankat përkatëse.

Sipas Këshillit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim, në bazë të nenit 132 të Kushtetutës dhe nenit 76 të ligjit nr. 8577/2000.

Në argumentet e saj, KLGJ shprehet se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të shndërrohet në një të drejtë të ekzekutivit për të pezulluar efektet e vendimit kushtetues, apo për të cenuar garancinë e paprekshmërisë së pagës së gjyqtarëve.

“As Kuvendi, as Këshilli i Ministrave, Ministria e Financave apo çdo organ tjetër shtetëror nuk mund të rihapë, rivlerësojë apo relativizojë atë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur përfundimisht”, thekson KLGJ.

Në përmbyllje të letrës, KLGJ i kërkon zyrtarisht Ministrisë së Financave ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të muajit gusht për të gjithë nëpunësit e administratës gjyqësore që nuk preken nga ky vendim, si dhe kalimin e pagave për magjistratët e të tria niveleve të gjykatave.

Në muajin shkurt, Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve dhe shfuqizoi dispozitat e një ligji të 2023-it që kishin ndryshuar formulën e përllogaritjes së pagave, duke lënë si pagë reference atë të drejtorit të Departamentit në Këshillin e Ministrave dhe jo pagën e Presidentit të Republikës, që kishte vendosur mazhoranca.

Gjyqtarët pretenduan se formula e re kishte sjellë në praktikë një ulje të vlerës reale të pagës. Kushtetuesja e pranoi këtë argument dhe i la Kuvendit detyrimin për të bërë ndryshimet ligjore deri më 31 korrik 2026.

Në fund të gushtit, KLGJ miratoi vetë një pagë referuese bazë për magjistratët, duke iu referuar vendimit të Kushtetueses dhe i kërkoi Ministrisë së Financave të zhbllokojë fondin, por Financat thonë se këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi.